AlbanianSport.com 10.09.2016 20:25
ASNN – Do të jetë Horhe Lorenco ai që do të niset i pari në pistën e San Marinos të dielën, pasi spanjolli ishte më i shpejti në provat zyrtare të zhvilluara të shtunën. Sikundër i gjithë ky sezon, edhe gara e së dielës, do të sillet për sportdashësit drejtpërdejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Horhe Lorenco ka siguruar për herë të 64-ët nisjen nga vendi i parë të shtunën në pistën e Misanos, duke thyer gjithashtu edhe një rekord sa i përket Botërorit të Motoçiklizmit. Ai tanimë ka parakaluar Mark Markezin e “Repsol Honda”-s dhe Valentino Rosin e “Jamaha” -s në librat e rekordeve sa i përket nisjes nga vendi i parë.
Ai regjistroi gjithashtu edhe kohë të re të pistës, duke e bërë xhiron brenda 1 minute e 31 sekondash. Shoku i tij i skuadrës, Valentino Rosi, do të niset nga vendi i dytë, ndërsa rreshtin e parë të garës së nesërme do ta plotësojë fituesi i garës së shkuar në Silverstoun, Maverik Vinjales i “Suzuki”-t.
Ky i fundit la prapa Mark Markezin, ndërsa atij do t’i bashkohen në vijën e dytë edhe dyshja e “Dukati”-t, Mikele Pirro, i cili po zëvendëson Andrea Janonen, dhe Andrea Doviciozo. Dhjetëshen e të parëve e plotësojnë Kal Kraçlou, Dani Pedroza, Aleiks Espargaro dhe Pol Espargaro.
Sikundër i gjithë ky sezon, edhe gara e së dielës, do të sillet për sportdashësit drejtpërdejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.