AlbanianSport.com 07/03/2020 21:25
ASNN – Pas anulimit të garës së Katarit në Moto GP dhe shtyrjes për në tetor, të asaj të Tajlandës, tani është hedhur dyshimi edhe për garën në Teksasit, e planifikuar për fundjavën e 5 prillit. Frika nga koronavirusi, ka bërë që Kryetari i Bashkisë së Ostinit, Stiv Adler, ta shpallë gjendjen e emergjencës në qytet. Kjo gjë ndalon zhvillimin e ngjarjeve të ndryshme, ku mblidhen më shumë se 2,500 njerëz.
Ka mbetur gati një muaj për mbërritjen e Moto GP-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj ndoshta situata mund të ndryshojë në javët e ardhshme, e si pasojë edhe qëndrimi i Kryetarit të Bashkisë së qytetit teksan, mund të ndryshojë. Përndryshe “Dorna”s, kompanisë që zotëron të drejtat e Moto GP-së, me Karmelo Ezpeletën në krye, do t’i duhet të gjejë një tjetër datë për garën e Amerikës.
Gjithmonë, nëse kërkon të zhvillojë të 19 garat që janë planifikuar në kalendar për klasin më të lartë të Botërorit të Moto GP-së. Në një konferencë të dhënë nga ekzekutivi, ai tha se do të bënte gjithçka të mundshme për ta mbajtur kalendarin të paprekur, edhe pse për këtë ishte e nevojshme të zhvendoseshin datat ashtu siç ai ka bërë tashmë. Tajlanda ka kaluar nga 22 marsi më 4 tetor dhe Aragoni është afruar me një javë, më 27 shtator 2020.
Sa i përket Argjentinës, që është ajo që ndjek Teksasin në kalendar, autoritetet lokale thonë se aktualisht nuk ka asnjë problem ose kufizim për koronavirusin.