AlbanianSport.com 23/03/2021 22:25
ASNN – “Honda”: Mark Markez mungon në dy garat e para të sezonit, synohet Portugalia. Ishte përfolur deri më tani si një hipotezë, por të martën pasdreke ka marrë edhe trajtë zyrtare. “Honda” ka bërë të ditur se piloti i saj rezervë, Stefan Bradl, do të zëvendësojë 6-herë “kampionin e botës” në Moto GP, Mark Markezin,në garat hapëse të sezonit të ri në Katar.
“Honda” ka deklaruar të hënën se Markez nuk do ta bëjë rikthimin e tij të shumëpritur në Moto GP në garën hapëse të sezonit në Çmimin e Madh të Katarit në fundjavë, pasi është këshilluar nga mjekët se ende nuk e ka kapërcyer dëmtimin e pësuar vjet. Më pas, ishte vetë Markezi që bëri të ditur se ai do të mungonte edhe në Çmimin e Madh të Dohas.
Kjo, pasi spanjolli do t’i nënshtrohet një tjetë kontrolli mjekësor më 12 prill 2021, në prag të Çmimit të Madh të Portugalisë. Dhe “Honda” ka konfirmuar se kampioni i botës në Moto2 në 2011-ën, Stefan Bradl, do të marrë sërish vendin e Mark Markezit, të cilin e ka zëvendësuar që nga Çmimi i Madh i Republikës Çeke sezonin e shkuar.
“Së pari, dua t’i falënderoj të gjithë ata që më besuan tek “HRC”-ja dhe t’i uroj Markut një shërim sa të shpejtë dhe kthim sa më të sigurt”, – ka deklaruar Bradli të martën, duke vijuar: “Kishim teste të kënaqshme parasezonale dhe ndjej që po pilotoj mirë pas një 2020-te të ngjeshur me gara në gjysmën e dytë të saj dhe një nisjeje të mirë të 2021-shit.”
Mungesa e Mark Markezit natyrisht ka zgjuar shpresat për një tjetër kampionat të hapur në Moto GP, që sezonin e shkuar kurorëzoi në mënyrë të papritur Joan Mirin si kampion të botës për pilotë dhe “Suzuki”-n për konstruktorë.