AlbanianSport.com 15/02/2021 21:40
ASNN – “Jamaha” ka prezantuar motorët e rinj, me të cilët do të konkurrojë në Botërorin e 2021-shit të Moto GP-së. Do të jenë Vinjales dhe Kuartararo, dy pilotët që do të drejtojnë motorët e “Jamaha”-s zyrtare në këtë sezon. Synimi kryesor i skuadrës japoneze është vazhdimësia e rezultateve, gjë që iu mungoi sezonin e kaluar. Misioni i skuadrës zyrtare të prodhuesit të njohur japonez, është titulli botëror, i theksuar ky gjatë prezantimit të motorëve të mbiquajtur “YZR-M1”.
Motorët “Jamaha”, të cilët, në Botërorin 2021 të Moto GP-së, do të drejtohen këtë sezon nga Maverik Vinjales dhe Fabio Kuartararo. Rëndësi të veçantë, shtëpia japoneze do t’i japë vazhdimësisë së rezultateve, që ishte edhe pika më e dobët e “M1”-shit në sezonin e kaluar. Skena ka qenë virtuale, por synimet janë reale. Edhe këtë sezon nuk do të ketë në motorin e saj zyrtar, Valentino Rosin, pas 14 sezonesh, të ndërprerë vetëm për dy vite, kur i mbiquajturi “Doktori” kaloi te “Dukati”.
Piloti spanjoll, Vinjales është në sezonin e tij të 5-të në skuadrën zyrtare, por, në 4 të parët ka qenë nën hijen e Rosit. Ndërsa tani do të ketë mbi shpatulla përgjegjësi të reja. Drejtori i skuadrës, Mario Meregali, është shprehur se më tepër ka ai besim te Maveriki, sesa piloti te vetja. Por sërish spanjolli do të ketë pranë një tjetër pilot, po aq ambicioz sa Rosi, siç është Fabio Kuartararo. Një pilot 4 vjet më të ri se veten, por tepër të talentuar.
Piloti francez nuk zhvilloi aspak një sezon të mirë në 2020. Kjo edhe për faktin se motori i tij “M1” nuk pati vazhdimësinë. “Sezoni i kaluar ishte paksa i çmendur, – ka thënë Maverik Vinjalesi. – Por ju siguroj se e kemi lënë pas. Mezi pres të kthehem në garë. Kam pushuar si duhet dhe kam një dëshirë të madhe të provoj motorin e ri. Nuk kemi shumë teste në dispozicion, vetëm ato në Katar, prandaj duhet ta nisim me këmbën e mbarë.”
Këto kanë qenë fjalët e spanjollit gjatë prezantimit të motorit të ri “Jamaha”. Edhe Fabio Quartararo ka shprehur padurimin e tij për t’u rikthyer në garë. “Mezi pres të nisë sezoni, mbi të gjitha sepse jam në një skuadër të re, – ka thënë ai. – Nuk është një risi, për mua ndryshimi i skuadrës. Madje më pëlqen të punoj me njerëz të ndryshëm dhe të kem eksperienca të reja. Mezi pres të zbres në pistë në Katar dhe të drejtoj për herë të parë motorin zyrtar të “Jamaha”-s”, – ka përfunduar piloti francez.