ASNN – “Honda” ka prezantuar motorët e rinj, me të cilët do të konkurrojë në Botërorin e 2021-shit në Moto GP. Por Mark Markez nuk e ka ende të qartë se kur do të kthehet në pistë. Piloti spanjoll pret vendimin e mjekëve, e më pas rikuperimin e plotë 100%. Kështu, Mark Márkez, 6 herë kampion i botës në MotoGP, është optimist për rikuperimin e tij pas dëmtimit në shpatullën e djathtë, që e bëri atë të humbasë sezonin e kaluar. Ai thotë se tani qëllimi i tij në 2021 “është të shijojë përsëri” motorin e tij.
“Qëllimi im është të shijoj motorin dhe pak nga pak të kthehem të jem aq i shpejtë sa isha,- ka thënë Márkezi gjatë prezantimit të ekipit “Honda” për sezonin 2021. – Ajo që duhet të kuptoni është se nuk mund të shtirem. Pas 10 muajsh larg motorit, nuk mund të jem në garë po i njëjti Mark. Eshtë hera e parë që qëndroj kaq gjatë pa hipur në motor dhe nuk e di si do të jenë xhirot e provës. Por ju siguroj se nuk do të jenë 100%.”
“Tani po përpiqem të shkoj në garën e Katarit, më 28 mars 2021, por në mes të marsit kam një rishikim nga mjekët, – shpjegoi Markezi. – Nga atje, rendi i ditës do të planifikohet përsëri, por, sidoqoftë, do të më duhen disa ditë për të arritur një formë të pranueshme fizike, veçanërisht për krahun.” Piloti spanjoll e ka përjashtuar praktikisht veten nga lufta për titull këtë vit. “Nuk kam ndërmend të bëj presion mbi veten time, të shkoj në garën e parë dhe të them se duhet të fitoj”, – ka thënë ai.