AlbanianSport.com 19/02/2021 19:25
ASNN – Filozofia e “Honda”-s për të prodhuar një motor vetëm për Mark Markezin rezultoi një dështim. Në 2020-ën, piloti spanjoll nuk mundi të konkurrojë për shkak dëmtimi, e “Honda” nuk arriti të marrë asnjë fitore. A është “Honda” një motor i projektuar për Mark Márkezin? Përtej hamendësimeve dhe refuzimeve të deritanishme, përgjigja është po.
Përtej asaj që shihet në asfalt, nga rrëfimi i Drejtorit Teknik të “Honda Racing Corporation” (HRC), Takeo Jokojamës, duket qartë se filozofia që përdori “Honda”, kur kampioni i saj, nuk mori pjesë në botërorin e 2020, për shkak dëmtimi, u ka sjellë shumë dhimbje koke drejtuesve të “Honda”-s. Dyshja që formuan Márkez dhe “Honda” ishte pothuajse aq perfekt, saqë gjithmonë jepte ndjesinë se asgjë nuk mund të shkonte keq.
Dhe që këtu, japonezët u bënë ai lloj gjeniu që plotëson të gjitha dëshirat dhe i përqendroi të gjitha përpjekjet, në sigurimin e pilotit të tyre me një motor të personalizuar. “Historikisht, kur kemi një kampion shumë të fortë, filozofia jonë është që ta bëjmë motorin gjithnjë e më të përshtatshëm për atë kampion”, – pranon Jokojama. Por duket se këtë filozofi ata e paguan shumë shtrenjtë gjatë 2020-ës.
Botërori i kaluar u shndërrua në sezonin më të keq të “Honda”-s, me mungesën e Mark Márkezit dhe me problemet financiare të shkaktuara nga epidemia e “Covid-19”-ës, që ka shpërthyer në shkallë globale. “Pas dëmtimit të Markezit, në atë periudhë, tepër të kushtëzuar nga virusi korona, e kishim shumë të vështirë të gjenim pilotët e duhur, për t’iu përshtatur motorit të spanjollit”, – ka pohuar zyrtar i skuadrës japoneze.
“Në një kohë që risitë ishin të ndaluara nga kompania organizatore “Dorna Sport”, për çdo skuadër të Moto GP-së. E megjithatë, ne u munduam të kërkonim alternativa në pjesën elektronike, shkarkimet, ngurtësinë e shasisë ose amortizuesin e pasmë, por dështuam 90% në të gjitha provat që kryem”, – pranon Jokojama, i cili e mbyll me fjalët: “Por nga dështimet kemi mësuar”.