AlbanianSport.com 20/02/2020 19:55
ASNN – “Honda ka hequr nga merkatoja Mark Markezin. Piloti spanjoll dhe skuadra japoneze kanë nënshkruar edhe 4 vite të tjera kontratë së bashku. Kjo gjë i shuan të gjitha shpresat e “Dukati”-t për ta parë Markezin me një motor të kuq. Kësisoj, Mark Markezi nuk është më në treg. Kjo sepse ai dhe “Honda” do të jenë së bashku të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme.
Shtëpia japoneze ka lajmëruar se ka rinovuar kontratën me 6-herë “kampionin e botës” në Moto GP edhe për sezonet 2021, 2022, 2023 e 2024. Pra, përveç sezonit të 2020, tashmë në vijim, piloti spanjoll dhe skuadra japoneze kanë nënshkruar një kontratë bashkëpunimi edhe për 4 sezonet e ardhshme. “”Honda” më ka dhënë mundësinë të vij në Moto GP në 2013-ën dhe, që nga viti i parë, kemi arritur shumë suksese së bashku”, ka thënë spanjolli.
“Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të jem pjesë e kësaj familje. Kam mundësinë për të dhënë akoma më shumë pas këtij rinovimi”, – ka përfunduar Mark Markezi. Piloti spanjoll ka arritur 56 fitore, 95 podiume e 62 nisje nga vendi i parë me “Honda”-n e tij në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit. Ka fituar 6 tituj botërorë në 7 sezonet e fundit, përveç dy titujve të tjerë botërorë që ka në Moto 2.
Me rinovimin e kontratës, “Honda” ka shuar të gjitha zërat për një largim të Markezit nga “Krahu i Artë”, kur dihej vëmendja që i kushtonte “Dukati” e “KTM”-ja në veçanti pilotit spanjoll. Por duket se të gjithë duhet të presin ende edhe të paktën disa vite, për ta parë Mark Markezin mbi një motor tjetër, ashtu siç kanë bërë edhe shumë pilotë të tjerë para tij.