AlbanianSport.com 06/11/2021 17:55
ASNN – Nisje nga vendi i parë dhe rekord i pistës për pilotin Italian të “Dukati”-t, i arritur në provat zyrtare të së shtunës, të vlefshme për Çmimin e Madh të Portugalisë në Moto GP. Krahas tij, në vijën e parë të nisjes janë Xhek Miller dhe Joan Mir. Françesko Banjaja ka arritur të sigurojë nisjen nga vendi i parë në provat zyrtare të zhvilluara të shtunën në Algarve, të vlefshme për Çmimin e Madh të Portugalisë në Moto GP.
Piloti Italian i “Dukati”-t ka regjistruar edhe kohën rekord në xhiron e fundit të provave zyrtare 1 minuta, ’37 sekonda e 725 të mijëtat. Kjo është edhe nisja nga vendi i parë për herë të 5-të radhazi për pilotin Italian në në këtë Botëror të Moto GP-së. Banjaja do të synojë të fitojë garën për të forcuar pozitat në vendin e dytë në renditjen e përgjithshme për pilotët. Çmimi i Madh i Portugalisë është gara e parafundit e Botërorit 2021 në Moto GP.
Në vijën e parë të nisjes do të jetë edhe “Dukati” tjetër i Xhek Millerit dhe “Suzuki” i Joan Mirit. Kampioni i botës, Fabio Kuartararo, i cili e fitoi titullin një garë më parë do të niset nga vendi i 7-të, përpara Aleks Markezit dhe Franko Morbidelit. Ndërsa Valentino Rosi, do të niset nga vendi i 16-të. Për “Doktorin”, kjo është gara e fundit në karrierën e tij në Portugali. Një mungesë e madhe në këtë garë është ajo e Mark Markezit, i cili u rrëzua në seancat stërvitore dhe ka pësuar një tronditje në kokë.
Pas konsultimeve, mjekët kanë rekomanduar që piloti spanjoll të pushojë të paktën për këtë garë.