AlbanianSport.com 12/09/2021 16:10
ASNN – Fiton duelin e ethshëm në fund me rivalin Markez, gara erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Piloti i “Dukati”-t, Françesko Banjaja, korri fitoren e tij të parë në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Moto GP-së, pasi i bëri ballë një sfide dramatike në xhirot e fundit nga Mark Markez, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Aragonës në Spanjë, ndërsa kryesuesi i renditjes së përgjithshme, Fabio Kuartararo, nuk ka shkuar dot më larg sesa vendi i 8-të.
Piloti i “Honda”-s, Mark Markez, bëri plot 7 përpjekje përgjatë 3 xhirove të fundit, duke e parakaluar çdo herë Banjajën, por çdo herë ky i fundit u rikthye në krye, duke ruajtur gjakftohtësinë në 3 kthesa para fundit, atëherë kur 8-herë “kampioni i botës e humbi atë, duke gabuar dhe duke i dhënë mundësi pilotit italian të “Dukati”-t që të triumfonte dhe të bëhej piloti i 8-të i ndryshëm që fiton në këto 14 gara të deritanishme të këtij sezoni.
Banjaja u nis nga vendi i parë, ndërsa Markez parakaloi menjëherë Xhek Millerin që në kthesën e parë, duke u ngjitur nga vendi i 4-t në atë të dytin. Dhe kjo dyshe vijoi të kryesonte garën deri në fund, me Markezin që luajti lojën e durimit, për të sulmuar në kthesat e fundit, duke dhuruar një spektakël të vërtetë. Ndërkaq Kuartararo humbi vende xhiro pas xhirosh dhe mbërriti i 8-ti në finish, dhe, me fitoren e Banjajës, kryesimi i pilotit francez të “Jamaha”-s kundrejt atij italian të Dukatit është shkurtuar nga 65 pikë, në 53, teksa ky Botëror i Moto GP-së i drejtohet garës së 15-të të sezonit, asaj të Çmimit të Madh të San Marinos në pistën e Mizanos.
Ndërkaq, podiumin në Aragon e plotësoi kampioni në fuqi i botës, Joan Mir, që fitoi përballjen me Aleiks Espargaronë dhe Xhek Millerin. Sikundër i gjithë ky sezon, edhe provat zyrtare të shtunën, por edhe gara e së dielës në Çmimin e Madh të Aragonës në Spanjë u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.