AlbanianSport.com 16/01/2019 14:25
ASNN – Pilotët e Moto GP-së mezi presin të nisë sezoni i ri dhe të zbresin në pistë për të regjistruar emocione, rekorde dhe rivalitet, që aq me shumicë i ka ky sport. Këtë garë mezi po e pret 40-vjeçari, piloti i famshëm italian, Valentino Rosi, 9-herë “kampion i botës” në këtë disiplinë. Në një intervistë për mediat italiane ai është shprehur se po studion rivalin e tij, Mark Markezin, mënyrën se si ai qëndron mbi motor, si i merr kthesat dhe si sillet në garë, për të mësuar më shumë që ta sfidojë dhe ta mposhtë në edicionin e ri.
Madje “Doktori” i Moto GP-së ka treguar edhe për emocionin që jep që në pamje motori i ri me të cilin do të garojë në edicionin e ri të garave. “Motori i ri është shumë i bukur, – u shpreh Rosi për mediat italiane, – e kam parë dhe kam mbetur i befasuar. Unë jam 40 vjeç, por besoj se jam ende frytdhënës në këtë sport. Shpresoj që kjo eksperiencë e gjatë të më ndihmojë në momentet e vështira. Dyrrotakët janë të frikshëm, për më tepër kur kanë shpejtësi dhe futesh në kthesa. Por është kjo vështirësi që më jep mua motivim dhe kjo më jep vetëbesim që ta fitoj titullin e 10-të në Moto GP.”
“Markezi? Ai është kurajoz, sigurisht, rrezikon shumë në pistë por pikërisht kjo e bën atë të jetë kampion. Ju nuk e dini, por ai rrëzohet shpesh gjatë provave, gjë që nuk i ndodh në garë. Pavarësisht përvojës time të gjatë, kam nisur të mësoj nga Mark Markezi. Po e studioj mënyrën e garës së tij, si qëndron mbi motor, si e sheh garën dhe si sillet me rivalët. Po mësoj prej tij dhe besoj se sezoni i ri do të ketë një rivalitet shumë të fortë midis nesh”, – përfundoi Valentino Rosi.