AlbanianSport.com 17/08/2021 22:05
ASNN – Kreu i “Honda”-s: “Pozitive është që spanjolli është midis pilotëve më të shpejtë në garë”. Nuk ishte një garë e lehtë në Austri për pilotët, për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike, që ndikuan mjaft në pistë. Për Mark Markezin nuk ishte një rezultat i mirë, vendi i 15-të, por ndjesitë janë të ndryshme, veçanërisht me pistën e thatë. Të gjitha këto i ka thënë Alberto Puig, drejtuesi i skuadrës zyrtare, “Repsol Honda”, në një deklaratë për shtyp.
“Padyshim që rezultati përfundimtar nuk ishte i mirë, por nëse shikojmë garën e Markut mund të shohim se, megjithëse ai kishte disavantazhe, ishte në gjendje të qëndronte me pilotët më të shpejtë edhe në pistën e thatë, – ka thënë ai. – Kjo është e rëndësishme për Markun, dhe gjithashtu për ekipin “Repsol Honda”, sepse ne e kuptojmë që ai po kthehet në potencialin e tij të vërtetë. Ne u larguam nga Austria natyrisht pa treguar një pjesë të potencialit të motorit tonë “RC213V”.”
“Por ne po punojmë vazhdimisht për t’u përmirësuar. Ne nuk jemi akoma atje ku duhet, por jemi në rrugë të mbarë” – analizon Puigu, i cili gjithashtu vë në dukje momentin kur gara bëhet në pistë të lagur dhe të thatë, teksa thotë: “Në këtë situatë nuk mund të dini se cila është strategjia më e mirë derisa gara të përfundojë. Vetëm piloti e di. Eshtë një llotari dhe ndonjëherë keni nevojë për fatin për të arritur rezultatin. Të flasësh është e lehtë, por garimi është i ndërlikuar.”
Përkundër faktit se Austria nuk dha rezultatet që do të donin, Puigu preferon të shikojë anët pozitive dhe të mendojë për garat e radhës. “Pozitive është se Marku ishte në gjendje të qëndronte midis pilotëve më të shpejtë gjatë Çmimit të Madh dhe negative ishte përplasja në fund të garës, – thotë ai. – Tani shkojmë në Silverstoun, një pistë e shpejtë, e vështirë, e ftohtë dhe e gjatë. Por më e rëndësishme në dy javët e fundit është se ne kemi mbledhur më shumë të dhëna mbi motorin dhe e kemi parë Markun të kthehet në nivelin e tij hap pas hapi.”