AlbanianSport.com 25/09/2019 18:20
ASNN – Italiani bën analizën e sezonit, reflekton mbi garat që vendosën fatin e titullit. Piloti i “Dukati”-t, Andrea Doviciozo, beson se mundësitë e tij për të fituar titullin këtë vit në Moto GP u davaritën praktikisht që në qershor të këtij viti, në pistën e Barcelonës, pas një tjetër fitore të Mark Markezit, i cili e thelloi edhe më tepër epërsinë në krye të renditjes së përgjithshme të pilotëve. Pavarsisht një reagimi të fortë që e ka çuar deri në vendin e dytë, Doviciozo nuk mundi ta sfidonte rivalin e tij në fundjavë në pistën e Aragonit.
Dhe spanjolli korri triumfin e tij të 8-të këtë sezon, duke mbërritur në finish thuajse 5 sekonda më përpara sesa italiani. Kjo nënkupton se Markezi ka krijuar një hendek prej 98 pikësh në krye kundrejt Doviciozos, i cili ka fituar vetëm dy gara këtë sezon dhe, në 5 garat e mbetur të 2019-ës kanë mbetur vetëm 125 pikë në lojë. “Unë nuk jam nga ata që kërkoj justifikime dhe nuk dua ta bëj këtë tani, – tha italiani. “Por kur vijnë gara me 0 pikë, e sidomos në rastet kur nuk ke ç’t’i bësh, ndryshon gjithçka”, – vijoi ai, duke iu referuar rrëzimeve në garën e Barcelonës në Spanjë dhe në atë të Silverstounit në Britaninë e Madhe.
“Deri në Barcelonë ishim prapa, por afër, vetëm 12 pikë larg”, – tha piloti i “Dukati”-t, duke vijuar: “Aksidenti në pistën katalane na preu këmbët, por, sidoqoftë, nuk ishim afër Markut siç ishim vitin e shkuar. Ne ishim në gjendje ta sfidonim atë me raste në pjesën e gjysmës së sezonit, pastaj erdhi ai rrëzim në Silverstuon. Por nuk dua të them se, pa ato dy aksidente, unë do të isha në gjendje ta sfidoja Markun, pasi ne e lamë atë prapa vetëm në Austri. Ky është realiteti dhe ne duhet të përmirësohemi në aspekte të caktuara, për të cilët jemi të ndërgjegjshme.”
“Por, hëpërhë, askush nuk mund ta mundë Markezin, prandaj duhet të gjejmë një zgjidhje”, – përfundoi ai. Spanjolli do të ketë mundësinë e tij fundjavën e ardhshme në Tajlandë, ku, për të siguruar edhe matematikisht titullin e 6-të të kampionit të botës ai duhet vetëm të marrë dy pikë më tepër sesa Doviciozo. Por italiani nuk ka pranuar të dorëzohet, duke theksuar se do të luftojë deri në fund.