AlbanianSport.com 20/02/2020 21:45
ASNN – Andrea Doviciozo e shikon mjaft të fortë konkurrencën në Botërorin e Moto GP-së, që do të nisë në 8 mars. Gjatë testeve në Sepang, pilotët treguan qartë synimet e tyre. Sipas pilotit të “Dukati”-t, motorët “Jamaha” dhe ato “Suzuki” janë favoritë. Por ai e pranon sidoqoftë, se edhe Mark Markezi do të vazhdojë të jetë dominues edhe këtë sezon.
Duhen edhe pak javë deri në fillimin e sezonit të Moto GP-së dhe të gjitha skuadrat janë duke punuar për ta nisur sa më mirë atë, duke filluar nga gara e parë, ajo e Katarit, më 8 mars 2020. Por para kësaj gare pilotët do të zhvillojnë edhe 3 ditë të tjera testimesh, në pistën e Losailit, dhe në skuadrën e “Ducati”-t, shqetësim mbeten gomat e markës “Michelin”.
“Testi i parë shkoi disi mirë, – ka thënë Andrea Doviciozo, – por të gjithë bënë më të mirën e tyre. Gomat e reja i kanë çorientuar disi të gjithë, e ne ende nuk jemi mësuar me to. Nga njëra anë thonë se janë të mira por nuk po dimë ende se sa. Na duhet pak kohë të mësohemi me to.” Sipas Doviciozos, këtë vit, Mark Markezi do të jetë sërish i fortë.
“Do të ketë shumë konkurrencë këtë sezon, – ka thënë italiani. – Por nuk mund të them aspak se Markezi nuk do të jetë sërish favoriti kryesor. Edhe pse dominimi i tij ka kaluar gjithnjë nëpër rrugët më të vështira. Pres që të 4 motorët “Jamaha”, të jenë më të fortë, edhe dy “Suzuki”-t do të jenë më konkurrues. Edhe ne po punojmë fort, por derisa të fillojnë garat, nuk mund të kuptojmë se çfarë shkon mirë dhe çfarë jo me motorin.”