AlbanianSport.com 26/09/2021 19:25
ASNN – Piloti i “Suzuki”-t pranon kapitullimin përballë skuadrës italiane. Moto GP-ja është pushim këtë javë dhe rivalët në betejën për titull kanë kohën e duhur për të reflektuar. Dhe piloti i “Suzuki”-t, Aleks Rins, ka pranuar kapitullimin përballë rivalëve të “Dukati”-t, duke deklaruar se motorët e skuadrës italiane janë “5 hapa para “Suzuki”-t. Aleks Rins beson se motorët e “Dukati” në këtë sezon të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP, janë “5 hapa para “Suzuki”-t”, duke iu referuar edhe fitores së dyfishtë me Françesko Banjajën.
Ky i fundit korri fitoren e tij të parë në Moto GP para dy javësh në pistën e Aragonës, duke mposhtur legjendarin e “Honda”-s, Mark Markez, në një duel drithërues, dhe i shtoi këtij triumfi menjëherë një tjetër, pasi mposhti në një tjetër duel po aq drithërues kryesuesin e renditjes së përgjithshme të pilotëve, Fabio Kuartararo, javën e shkuar në Mizano. Kjo ishte fitorja e 5-të e “Dukati”-t në 2021-shin, pas triumfleve radhazi për Xhek Millerin në Herez dhe Lë Mons, dhe një fitoreje të bujshme të parë për të riun e skuadrës kliente të “Pramak”-ut, Horhe Martin, në Austri.
Përveç 5 fitoreve, “Dukati” ka shijuar edhe suksese të tjera me të gjitha skuadrat, teksa 5 nga 6 pilotët e saj janë ngjitur në podium, më i fundit ishte Enea Bastianini, që me motorin e tij të skuadrës kliente “Avintia”, mori vendin e 3-të në Mizano. Vetëm “Jamaha” e ka kaluar numrin e fitoreve të “Dukati”’-t këtë sezon, me 6 fitore, ndonëse 5 prej këtyre i ka fituar Fabio Kuartararo, ndërsa tjetrën e korri tashmë ish-piloti i saj, Maverik Vinjales.
Ndërkaq, “Suzuki” ende nuk ka njeh fitoren në këtë sezon të vështirë, pasi motorët e tij nuk janë përmirësuar edhe aq në krahasim me sezonin e shkuar. Dhe pikërisht këtu është edhe pjesa ku bëhet më tepër dallimi dhe Aleks Rins beson se “Dukati” ka bërë hapa gjigantë në këtë drejtim. Edhe shoku i tij i skuadrës, Joan Mir, e pranoi, pasi e mbylli i 6-ti në garën e Mizanos, se shanset e tij për të mbrojtjur titullin e “kampionit të botës” tashmë ishin davaritur plotësisht.