AlbanianSport.com 11/09/2021 17:10
ASNN – Banjaja dhe Miller nisen nga vendi i parë dhe i dytë. “Dukati” dominon në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Aragonës në Spanjë. Dy pilotët e kësaj skuadre, Françesko Banjaia dhe Xhek Miller do të jenë në vijën e parë të nisjes, në garën e së dielës. Pritet një garë e fortë, me shumë konkurrencë, kur pas tyre janë Fabio Kuartararo dhe Mark Markez. Kështu, Banjaia ka arritur të jetë më i shpejti në përfundim të provave zyrtare të së shtunës, të vlefshme për Çmimin e Madh të Aragonës.
Piloti italian i “Dukati”-t ka vendosur kohën 1 minutë, 46 sekonda e 322 të mijëtat, duke thyer rekordin e mëparshëm në “Motorland”, të mbajtur nga Mark Markez. Por dominimi i “Dukati”-t ka vazhduar edhe me pilotin tjetër të tij, Xhek Miller, që pikërisht në xhiron e fundit të provave zyrtare, ka arritur të pozicionohet në vendin e dytë të nisjes. Por duket se dy pilotët e Ducatit nuk do ta kenë të lehtë garën të dielën, sepse pas tyre janë dy pilotë tepër të fortë. Fabio Kuartararo do të jetë në vendin e 3-të, i ndjekur nga Mark Markez.
Piloti i “Jamaha”-s kërkon fitoren për të ruajtur vendin e parë në renditjen e përgjithshme për pilotë, duke shtuar mundësitë për të fituar edhe titullin e parë kampion bote në Moto GP. Por nuk duhet të harrojë se pas tij është 8-herë “kampioni i botës”. Mbi të gjitha që spanjolli e ka pistën e tij të preferuar, këtë në “Motorland”. Megjithë gjendjen e tij fizike jo në 100% të kapacitetit, Markezi do të synojë të tregojë se edhe ai është në luftë për ta fituar këtë garë. Në vijën e tretë janë Horhe Martin dhe Aleiks Espargaro.
10-shen e më të mirëve e mbyllin Joan Mir, Pol Espargaro, Bastianini dhe Johan Zarko. Sikundër provat zyrtare të së shtunës, edhe gara e madhe e së dielës, do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 13:45.