AlbanianSport.com 30/08/2019 16:05
ASNN – 4 motorët e skuadrës japoneze, midis 5 kohëve më të shpejta në pistën italiane. Në pritje të garës së radhës, skuadrat e Moto GP-së po shkrydhin muskujt dhe Mizano ka qenë destinacioni i radhës për disa ditë provash. Fabio Kuartararo ka lënë pas me 23 të mijëtat e sekondës shokun e tij të skuadrës, Franko Morbidelin, ndërsa janë 4 motorë “Jamaha” në 5-shen e më të shpejtëve, teksa është përmbyllur të enjten dita e parë e testeve.
Dyshja e “Jamaha”-s kliente, “Petronas SRT”-së, Kuartararo-Morbideli, diktuan ritmin e testeve të së enjtes pasdite, me francezin që regjistroi kohën 1 minutë, 32 sekonda e 996 të mijëtat, ndërsa kohën e 3-të më të shpejtë, me 226 të mijëtat e sekondës më tepër, e regjistroi kampioni në fuqi i botës dhe kryesuesi i renditjes aktuale të pilotëve, Mark Markezi i “Repsol Honda”.
Interesant është fakti se në pistën e Mizanos, që mban emrin e ish-pilotit të ndjerë, Marko Simonçelit, Markezi provoi 3 motorë të ndryshëm për shumicën e ditës, ndërsa në fund provoi edhe një të 4-t, ndërsa piloti tjetër i Hondës kliente, LCR, Kal Kraçlou, provoi 3 motorë të ndryshëm. Sa i përket pilotit tjetër të “Repsol Honda”, Horhe Lorenco, ende ndjen shumë dhimbje, më tepër sesa ç’ndjeu në Silverstoun, dhe 5 herë kampioni i botës e mbylli shpejt testimin në ditën e parë.
Ndërkaq, të dy pilotët e “Jamaha”-s zyrtare, Valentino Rosi dhe Maverick Vinjalesi, provuan një version të dytë të motorit të vitit 2020, pasi kishin provuar më herët një version të parë në testet e mbajtura në pistën e Brnos, në Republikën Çeke. Vinjalesi dhe Rosi e mbyllën përkatësisht në vendin e 4-t dhe të 5-të, në atë që ishte një ditë e mirë për skuadrën japoneze. Një lajm tjetër i mirë ishte kthimi mbi motor i Andrea Doviciozos së “Dukati”-t, pasi mjekët i hapën më herët dritën jeshile. Ai bëri 37 xhiro me motorin e tij.