AlbanianSport.com 26/06/2020 19:10
ASNN – Ishte përfolur si një hipotezë, teksa midis palëve shenjat e “dashurisë” ishin të dukshme e askush nuk po përpiqej ta fshihte më. Tashmë është zyrtare: Danilo Petruçi largohet nga “Dukati” në fund të sezonit për t’iu bashkuar KTM-së. Kështu, në vitin 2021, Petruçi do të jetë shok skuadre me Iker Lekuonën.
Ndërsa dy motorët zyrtarë RC16 do t’i besohen Miguel Oliveiras e Brad Buinderit. 29-vjeçari do t’ia lëshojë “Dezmosediçin” e tij Xhek Millerit, ndërsa mbetet për t’u parë ende e ardhmja e Andrea Doviciozos te “Dukati”. Petruçi do të ketë në dispozicion një KTM tërësisht zyrtare.
Hervé Ponkaral, drejtuesi i “Tech3”, e ka përcaktuar Danilo Petruçin si një pilot të aftë të punojë në skuadër dhe që ka treguar se mund të fitojë në Moto GP. Kështu piloti italian do të zërë vendin e lënë bosh nga Pol Espargaro, me këtë të fundit të destinuar të shkojë te “Honda”.