AlbanianSport.com 21/08/2019 19:25
ASNN – Çmimi i Madh i Britanisë së Madhe ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Por ai që kërkon me këmbëngulje fitoren aty, është Mark Markezi. Piloti spanjoll nuk e ka pistën e tij të preferuar, por kërkon triumfun edhe aty. Megjithë konkurrencën e madhe, të gjithë i kanë sytë nga qielli, sepse një vit më parë, shiu i rrëmbyer nuk lejoi zhvillimin e garës.
Pasi ka humbur duelin epik, me Andrea Doviciozon në Austri, Mark Markez kërkon të rikthehet tek suksesi që në Çmimin e Madh të Silverstounit, një nga të paktat pista jo të preferuara për pilotin spanjoll. Në Angli, Markezi nuk ngjitet në podium që nga viti 2014. Nëse do t’ia arrijë kësaj do të mund të barazojë 88 podiumet e Xhakomo Agostinit, duke parë që nga Çmimi i Madh i Austrisë në 2018-ën, Markezi i ka mbyllur të gjitha garat në vend të parë ose të dytë.
“Shpresojmë të bëjmë një festë të madhe në Silverstuon, – ka thënë Markezi. – Kemi qenë të pafat në të kaluarën, por këtë vit, po tregojmë se jemi shumë më të fortë në pistet në të cilat në të kaluarën, nuk kemi qenë. Unë ndjehem mirë për këtë fundjavë. Sidoqoftë, na duhet të shikojmë sipërfaqen e pistës, sepse në të kaluarën, në Silverstoun kanë ndodhur shumë aksidente.”
“Mbi të gjitha të shohim si do të jenë kushtet e motit”, – ka përfunduar spanjolli, kampion në fuqi i botës. Këtë fundjavë Moto GP-ja zbret në pistën e Britanisë së Madhe. Vëmendje e madhe i është kushtuar kësaj gare, pasi një vit më parë për shkak të shiut nuk arriti të zhvillohej. Në 5 vitet e fundit, janë parë 5 fitues të ndryshëm me 4 motorë të ndryshëm. Ndaj pritet të zhvillohet një garë e fortë.