AlbanianSport.com 10/08/2020 15:40
ASNN – Ka qenë padyshim “një rrufe në qiellin e pastër” të Bërnos, në rastin aktual, sepse ka ardhur një fitore krejt e papritur e Brad Binderit në Çmimin e Madh të Republikës Çeke, të zhvilluar të dielën pasdreke. Piloti afrikanojugor i “KTM”-së, është nisur nga vendi i 7-të dhe më pas është vënë krye të garës, duke udhëhequr majde i pashqetësuar nga të tjerët.
Kjo është fitorja e parë për Binderit në Moto GP. Në vend të dytë u rendit Franko Morbideli dhe, për pilotin e skuadrës kliente të “Jamaha”-s, “Petronas”it, ky është podiumi i parë, në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit. Podiumi u plotësua me francezin e “Dukati”-t, Johan Zarko, i cili në fakt ishte nisur nga vendi i parë. Zarkoja pati madje dhe një ndëshkim për shkak të incidentit me Pol Espargaronë. Në vend të katërt u rendit piloti i “Suzuki”-t, Aleks Rins, dhe, në të 5-tin, Valentino Rosi me “Jamaha”-n zyrtare. Duket se piloti italin është detyruar ta shtyjë kështu për garën e ardhshme, podiumin e 200-të në karrierë. Për veteranin e mbiquajtur “Doktori”, ka qenë një garë e mirë, pasi, edhe pse u nis nga vendi i 10-të, arriti të shkojë deri në të 5-tin dhe të marrë të tjera pikë të vlefshme në renditje.
Por nuk ka përfunduar aspak mirë gara për kryesuesin e renditjes botërore të pilotëve në Moto GP, Fabio Kuartararo. Francezi e ka mbyllur konkurrimin në Brno në vendin e 7-të, duke shqetësuar në njëfarë mënyre drejtuesit e skuadrës kliente të “Jamaha Petronas”-it. Por ka shkuar akoma më keq për dy pilotët e “Dukati”-t zyrtare, Andrea Doviciozo dhe Danilo Petruçi, që nuk shkuan dot më larg se vendi i 11-të e i 12-të përkatësisht.