AlbanianSport.com 30/04/2020 23:55
ASNN – Organizatorët e Moto GP-së kanë bërë të ditur të mërkurën se garat që planifikoheshin të mbaheshin në Gjermani, në Holandë dhe në Finlandë, të programuara për në qershor dhe në korrik, janë anuluar për shkak të epidemisë së koronavirusit, që ka shpërthyer në shkallë globale. Gara e Çmimit të Madh të Gjermanisë ishte parashikuar të mbahej më 21 qershor, e ndjekur nga ajo e Holandës, në Asen, më 28 qershor dhe pastaj ajo e Finlandës, më 12 korrik 2020.
Gara në Asen ishte e vetmja që kishte figuruar në çdo kalendar të garave në Moto GP që nga fillimi i tij në vitin 1949. “Me trishtim të madh njoftojmë për anulimin e këtyre 3 garave të rëndësishme në kalendarin e Moto GP-së”, – ka thënë Karmelo Ezpeleta, kreu ekzekutiv i “Dorna Sports”, kompanisë që administron të drejtat e organizimit të Moto GP-së. Ezpeleta pati deklaruar javën e kaluar se është optimist se garat mund të kthehen duke nisur nga korriku.
Sezoni i Botërorit të këtij sezoni në Moto GP ende nuk ka nisur, teksa 11 gara janë prekur nga shpërthimi i koronavirusit dhe organizatorët ende nuk kanë publikuar kalendarin e ri me ndryshime të datave. Garat në Spanjë, Francë dhe Itali janë shtyrë dhe po duken të pasigurta për t’u zhvilluar këtë vit. Gara e ardhshme e parashikuar në kalendar është ajo e Çmimit të Madh të Republikës Çeke, që është programuar të mbahet në Brno, më 9 gusht 2020, dhe që është e vetmja mundësi reale për të nisur sezonin e ri.