AlbanianSport.com 11/03/2020 22:35
ASNN – Ndryshon përsëri kalendari i 2020-ës, edhe gara amerikanolatine shtyhet për në nëntor. Epidemia globale e koronavirusit ka prekur edhe Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit dhe nivelit më të lartë të tij, Moto GP-në. Kështu, pas Çmimit të Madh i Ostinit në SHBA, që u shty të martën, të mërkurën, edhe ai i Argjentinës është shtyrë për në nëntor. Tanimë nuk është një çështje dëshirë, por urgjence. Dhe datat e kalendarit të rishikuar po bien njëra pas tjetrës, si gurët e dominosë.
Vetëm një ditë më parë, u mësua se zyrtarisht, gara e Ostinit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që duhet të zhvillohej më 5 prill dhe që duhej të ishte gara e parë e sezonit, do të shtyhej për në nëntor. Kjo bënte që gara e Argjentinës, që ishte planifikuar të mbahej më 19 prill 2020, do të ishte gara e parë e kalendarit të rishikuar të sezonit. Por edhe gara amerikanolatine ka hequr dorë nga ky privilegj, pasi të mërkurën ka ardhur edhe zyrtarizimi i këtij vendimi nga Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit dhe “Dorna Sports”, kompania që qeveris kampionatin Botëror të Motoçiklizmit.
Shpërthimi në shkallë globale i koronavirusit dhe kufizimet gjithnjë e më të mëdha të udhëtimit nga vende të ndryshme, çuan në anulimin e garës së parë të sezonit të Moto GP-së në Katar, ndërsa fatin e garës arabe e ndoqi edhe Tajlanda dhe Ostini, teksa Italia ka vënë në zbatim karantinën në shkallë kombëtare deri më 3 prill 2020. Vetëm pas orë pasi kalendari u rishikua, duke e konfirmuar garën e 19 prillit në Argjentinë si të parën, teksa gara teksane u zhvendos për më 15 nëntor 2020, gara e “Rio Hondo”-s u vu në dyshim pasi vendi amerikanojugor bëri të ditur ndalimin e zhvillimit të të gjitha veprimtarive sportive për shkak të koronavirusit.
Tanimë gara e Argjentinës është zhvendosur për më 22 nëntor 2020, duke i marrë vendin asaj të Valencias, e cila ishte zhvendosur me një javë që t’i hapte rrugën Ostinit. Tanimë gara e fundit e sezonit do të jetë ajo e Valencias, që do të zhvillohet më 29 nëntor 2020. Kjo nënkupton se pjesa e fundit e sezonit do të ofrojë dy maratona prej 3 garash, Ostinin, Argjentinë dhe Valencian që vijnë pas trios tradicionale të Japonisë, Australisë dhe Malajzisë, që nga ana e tyre, vijnë pas dyshe Aragon-Tailandë.