AlbanianSport.com 08/08/2018 21:45
ASNN – Kampionati Botëror i Motoçiklizmit do të zhvendoset këtë fundjavë në alpet Stirian të Austrisë, në pistën mbresëlënëse të Shpilbergut. Lartësia dhe aftësia për të përfituar shpejtësi në sa më pak kohë janë fjalët kyçe aty dhe padyshim që “Dukati” është mbreti i padiskutueshëm i malit. Dhe gara e 11-të e sezonit premton një tjetër spektakël dhe gjithçka do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Vetëm pak ditë pushim pas Çmimit të Madh të Republikës Çeke dhe Kampionati Botëror i Motoçiklizmit do të zhvendoset në alpet Stirian të Austrisë, në pistën mbresëlënëse të Shpilbergut. Lartësia dhe aftësia për të përfituar shpejtësi në sa më pak kohë janë fjalët kyçe aty dhe padyshim që “Dukati” është mbreti i padiskutueshëm i malit. Fitues në 2016-ën dhe 2017-ën, kjo pistë flet në favor të skuadrës italiane dhe gjasat janë të mira për Andrea Doviciozon dhe shokun e tij të tek “Dukati”, Horhe Lorencon, që për më tepër vijnë në Austri pasi morën dy vendet e para në Bërno.
I mbiquajtur “DesmoDovi”, italiani e fitoi duelin për finishin sezonin e shkuar, por spanjolli është tashmë një rrezik serioz që vjen nga ana tjetër e garazhit të skuadrës. Dhe pyetje që shtrohet në prag të Austrisë, është do të arrijë dikush ta zbresë “Dukati”-n nga dy shkallët e sipërme të podiumit. Mark Markezi i “Repsol Hondë”-s ishte i vetmi që ia afrua dhënies fundit dominimit të skuadrës italiane sezonin e shkuar në pistën austriake.
Motori me nr. 93 qëndroi deri në fund me Doviciozon dhe të dy pilotët patën atë që do të ishte i pari i një serie duelesh, fillimisht në Spilberg, pastaj në Motegi, pastaj në Katar, ndonëse nuk ishte e njëjta gjë në Brno javës e shkuar. Markezi ishte pas dy motorëve të kuq të “Dukati”-t, por kampioni në fuqi i botës u duk i pafuqishëm për të mposhtur fillimisht Lorenzon, e më pas Doviciozon. Me pak fjalë, misioni i spanjollit të “Hondës” është hakmarrja.
Por këtu nuk duhet harruar edhe faktori “X”, veterani i “Jamaha”-s, Valentino Rosi. Me pak fjalë, gara e 11-të e sezonit premton një tjetër spektakël dhe gjithçka do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.