Gjergj Vyshka 03.10.2017 09:50
Presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj, pati kërkuar ndihmë nga privatë dhe nga shteti, por i kthyen krahët. Ermal Hadribeaj dhe Fatos Doskja do të jenë përfaqësuesit e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Ndeshjeve të Lira ose ndryshe MMA (Arteve të Përziera Marciale), që do të zhvillohet në Bahrein, nga data 12, deri më 19 nëntor 2017.
Për këtë arsye, edhe duke e ditur që Hadribeaj është nënkampion Ballkani, i aftë për të sjellë dhe të tjera medalje ndërkombëtare, disa herë fituesi i Gladiatorit, presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj, pati kërkuar ndihmën e privatëve dhe të shtetit. Sepse duheshin 5000 euro për 3 ditë. Jo vetëm regjistrimi, por dhe pjesëmarrja në këtë Botëror.
Por dhe pas këtij njoftimi, Rizajt nuk i është përgjigjur as privati dhe as shteti. “Kam kërkuar dhe kam takuar përgjegjësin e sportit elitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Arjan Konomi, por nuk më ka dhënë asnjë shpresë, – thotë Arjan Rizaj për “Sport Ekspres”. – Po kështu dhe privatët. Prandaj, për të mos e djegur këtë mundësi do të shkojmë me paratë tona apo dhe të miqve që kemi. Ky është sporti në Shqipëri.”