Ky kampionat midis skuadrave italiane dhe shqiptare ishte vetëm fillimi. Presidenti i federatës botërore të “I.K.S.A. International”, Luixhi Greci, ka shpalosur projektet e ardhshme për sa u përket ndeshjeve të ndryshme. Gjithashtu ai ka vlerësuar nivelin e sportistëve dhe klimën miqësore dhe dashamirëse, ku u zhvillua kjo veprimtari e Arteve Luftarake të Përziera.
– Z. Greci mund të na flisni pak për federatën “IKSA International”?
– “IKSA International” është një federatë ndërkombëtare, e cila aktualisht ka përfaqësi në 20 vende të botës dhe 4 kontinente. Gjithashtu priten të futen në “I.K.S.A.” edhe rreth 15 vende. “I.K.S.A. International” është e lidhur drejtpërdrejtë federatën gjermane shumë profesioniste “A.F.S.O. World”. Ne jemi dega italiane e asaj që është “AFSO World United”. Ndërkaq, “I.K.S.A. International” zhvillon veprimtari si kjo këtu në Shqipëri, dhe nuk merret vetëm me MMA-në, por edhe me “Kikboks”-in K1, “Muaj Tai” (boks tajlandez), taekuondo, xhudo etj.
– Kjo është hera e parë që vini në Shqipëri? Çfarë mendoni për nivelin e sportistëve?
– Niveli në Shqipëri mendoj se është i mirë. Sportistët që pashë të ndesheshin janë atletë që kanë shumë dëshirë, janë të aftë dhe sigurisht që ka pika ku mund të përmirësohen, por kjo vlen për të gjithë. Ky turne është i pari në një sërë veprimtarish që do të zhvillohen në të ardhmen. Dhe sigurisht që vitin e ardhshëm do të jetë diçka shumë më ndryshe dhe më e mirë. Pashë atletë të mirë dhe kjo nuk kushtëzohet vetëm nga ndeshjet e fituara. Kishim atletë që u duhej të fitonin, mbi të gjitha përvojë, si nga ana italiane ashtu edhe nga ana shqiptare. Megjithatë pashë në sytë e tyre që ishin kampionë. Pas ndeshjeve përshëndeteshin dhe përqafoheshin, ashtu siç i ka hije sportit. Pra miqësi dhe sportivitet i pastër, ashtu siç është në MMA. Brenda kafazit ndeshje me kontakt të plotë, jashtë kafazit vëllezër.
– Keni plane që IKSA të zgjerojë veprimtarinë e saj?
– Këtu kemi disa bashkëpunëtorë të mirë. Do të donim të zgjeroheshim më shumë. Besimi im tek ta është i pakushtëzuar. Dhe jam i sigurt që do të kemi rezultate të mirë.
– Ndërkaq MMA shihet si një sport i burrave, por çfarë mund të na thoni për vajzat?
– Për mua vajzat janë të afta në MMA. Në mënyrën time, se si i shoh gjërat, vajzat kanë një “egërsi”, të cilën djemtë nuk e kanë. Trajnimi i një vajze nuk është aq i thjeshtë si të trajnosh një djalë. Kjo për faktin e thjeshtë të raportit numerik, pasi për çdo 10-15 djem bie të ketë vetëm një vajzë. Dhe kjo vajzë duhet të ketë forcën për të mos e braktisur sportin. Por çështja është se vajzat janë të përkryera t’i shikosh të ndeshen. Herën tjetër do të kemi edhe ndeshje midis vajzave.