AlbanianSport.com 23.02.2017 09:35
ASNN – Të mërkurën në mbrëmje është zhvilluar në kryeqytet edicioni i 5-të i Kampionatit Kombëtar të Ndeshjeve të Lira, të mbiquajtur ndryshe “Gladiatori Shqiptar 5”. Siç dihet ndeshjet e lira janë një disiplinë e Arteve Luftarake të Përziera, apo të njohur gjerësisht si MMA. Ky sport i veçantë përfshin në rregulloren e vet përzierjen e mundjes, boksit, xhudos, “kik-boks”-it e shumë sporteve të tjera të rënda.
Në total në kafaz kanë qenë 16 ndeshje, ndërsa në këtë kampionat kanë marrë pjesë 8 ekipe. 6 prej këtyre dueleve kanë përfunduar me “nokaut teknik” duke nisur që nga ndeshja e MMA-së për moshat mbi 18 vjeç në peshën deri në 70 kg, atje ku Bahiti ka fituar aforfe për shkak të mbipeshës së kundërshtarit. Po kështu ka ndodhur dhe në MMA për moshat 16-18 vjeç, ndërsa janë dorëzuar që në raundin e parë Taipi, Turku dhe Dunisha.
Në pjesën tjetër ndeshjet kanë qenë të ekuilibruara, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizai, ka sqaruar se kjo veprimtari ishte përzgjedhëse për kombëtaren, e cila nga data 29 mars, deri më 3 prill 2017 do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Bullgari. Të gjitha duelet e këtij kampionati u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt në një transmetim prej mëse 3 orësh nga kanali RTSH Sport i platformës sonë dixhitale.