Gjergj Vyshka 17.10.2016 13:25
Presidenti i Federatës Shqiptare të MMA-së, Arjan Rizaj, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë Kampionat të 3-të Ballkanik të MMA-së. “Dita e djeshme ka qenë e veçantë për Federatën tonë, e cila në 2 vjet ka organizuar 20 veprimtari lokale, kombëtare e ndërkombëtare, – ka vijuar ai. – Ne duam që kjo traditë të vazhdojë dhe ky sport të eci përpara.”
“Ajo që më bën optimist për zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë është përkrahja e Federatës Botërore, ndërsa ne do të bëjmë të pamundurën që ky sport të eci përpara, – ka theksuar Rizaj. – Mbi të gjitha vlerësoj përkrahjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse gjithçka të vazhdojë përpara.”
Ndërsa Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, tha: “Është një kënaqësi e veçantë për mua që marr pjesë në të tilla organizime, apo në këtë Ballkaniadë. Një sport i ri, ndërsa shoh një pjesëmarrje dhe një interesim të jashtëzakonshëm për këtë disiplinë. Si president i KOKSH ndihem optimist, ndërsa e gjithë kjo iniciativë tregon për punën e mirë që bën kjo Federatë.
“Prandaj shpresoj që të publikohet sa më shumë si sport”, – ka shtuar ai. Kurse Zëvendësministri i Arsimit dhe Sporteve, Rauf Dimraj, deklaroi: “Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve ju uroj suksese, sepse një veprimtari të tillë e shton më shumë miqësinë mes shteteve. Sa më shumë veprimtari të tilla, aq më mirë. Ndaj dhe një herë suksese!”