Gjergj Vyshka 22.02.2017 07:55
Kampionati i Ndeshjeve të Lira, quajtur ndryshe “Gladiatori 5”, është gati për sfidë dhe emocione, ndërsa sot do të zhvillohet në mjediset e “Cinco Cavallit” në Tiranë. Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira, sipas informacionit që ka dhënë në faqen e tij në “Facebook”, presidenti Arjan Rizai, është në bashkëpunim “Body Code”. Madje kjo veprimtari do të transmetohet dhe në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar duke nisur që nga ora 19:00.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizai, falënderon bashkëpunëtorët, sportistët, familjarët e tyre, trupat gjykuese dhe mbështetësit financiarë për çdo ndihmë dhe përkrahje në organizimin e këtij kampionati në një shkallë shumë të lartë. “Ndeshjet e Lira” janë ndërthurje e sporteve luftarakë dhe arteve marciale në një të vetëm.
“Në këtë organizim të radhës shumë të rëndësishëm na bashkon pasioni që kemi për këtë lloji sporti ne dhe të gjithë anëtarët e Federatës”, – tha Rizai, efektiv i trupave “Komando” të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. “Gladiator 5” fillon sot në ora 19:00 dhe në të do të zhvillohen 16 duele duke i parashikuar në minutash sipas kategorive të moshave. Ndërkohë kryesfida e mbrëmjes do të jetë Ndreca-Voci, si dhe Metani-Tokthi. Kësisoj ndeshjet e lira janë tashmë gati për “Gladiatorin 5”.