AlbanianSport.com 16/11/2022 12:30
ASNN – Miqësorja e futbollit midis përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Italisë do të sjellë në stadiumin “Arena Kombëtare” shumë tifozët. Dhe për të ruajtur qetësinë në rrugët e Tianës, para dhe pas ndeshjes si dhe përreth stadiumit, Policia e Tiranës ka publikuar një plan masash të cilat duhen respektuar nga të gjithë tifozët. Miqësorja e futbollit midis kombëtareve të Shqipërisë dhe Italisë, Kampiones së Evropës në fuqi ka tërhequr vëmendjen e shumë tifozëve. Ndaj edhe stadiumi “Arena Kombëtare” do të jetë i mbushur plot, për të ndjekur ndeshjen që do të nisë në orën 20.45.
Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, Policia e Tiranës ka marrë një sërë masash, të cilat përfshijnë jo vetëm ambientet e stadiumit, por edhe perimetrin jashtë tij. Kështu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, konkretisht do të bllokohen Rruga “Lekë Dukagjini”, përreth stadiumit; ruga “Dervish Hima”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek Stadiumi “Arena Kombëtare” dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Sheshi “Nënë Tereza” nuk do të ketë bllokime të lëvizjes. Policia do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete, në segmentet rrugore të lartpërmendura, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.