AlbanianSport.com 24/09/2021 20:55
ASNN – Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve ka fituar me rezultatin 3-0 miqësoren me Kombëtare e Nën-17-vjeçarëve, të zhvilluar këtë të premte në Kompleksin Sportiv “Internacional” në Pezë-Helmës. Një test që u ka shërbyer të dyja skuadrave për të parë gjendjen aktuale të futbollistëve të vitlindjes 2004, 2005 dhe disa të vitlindjes 2006. Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Totoshi, Basha, Alite, Marku, Ziu, Ad. Kurti, Ruçi, Rama, Reci, Syla dhe Bode.
Ndërsa, homologu i tij, trajneri i Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve, Ardi Behari hodhi në fushë këtë 11-she të parë: Simoni, Burgaj, Sina, Taleb, Dervishi, Skënderaj, Zengu, Bebeziqi, Hasani, Biba dhe Toverlani. Nën-18-vjeçarët e nisën mirë ndeshjen, duke treguar superioritet dhe në minutën e 30-të gjetën golin e epërsisë që u shënua nga sulmuesi Santino Biba. Pjesë e parë u mbyll kështu 1-0 në favor të Kombëtares sp Nën-18-vjeçarëve, ndërkohë që me fillimin e pjesës së dytë trajnerët e të dyja skuadrave bënë zëvendësime.
Ata kanë vijuar t’i aktivizojnë të gjithë lojtarët e grumbulluar për këtë miqësore. Në minutën e 60-të vjen edhe goli i dytë i Kombëtaren e Nën-18-vjeçarëve, që u shënua nga Lorenco Hasani, teksa në minutën e 75-të erdhi dhe goli i tretë i realizuar nga Igli Rrapi, i cili kishte hyrë si zëvendësues në pjesën e dytë. Një gol që fiksoi edhe rezultatin përfundimtar të miqësores në shifrat 3-0 në favor të Kombëtares së Beharit. Të dy trajnerët u shfaqën të kënaqur me përgjigjet që morën nga lojtarët e grumbulluar për këtë test të radhës.
Duhet theksuar se Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve vinte pas miqësores së 22 shtatorit me bashkëmoshatarët e Kosovës, të luajtur në Prishtinë dhe që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Për këtë arsye trajneri Bulku aktivizoi kryesisht lojtarët që nuk luajtën në Kososë dhe ata që u aktivizuan më pak minuta. Këto ishin dy miqësoret e fundit për 17-vjeçarët para pjesëmarrjes në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian 2022 të kësaj grupmposhe, që luhen në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut. Kuqezinjtë janë në Grupin 12, së bashku me Italinë, Skocinë dhe vendasit.
Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve 0
Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve 3
Shënues: Biba 30’, Hasani 60’, Rrapi 75’
Kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve: Totoshi, Basha, Alite, Marku, Ziu, Ad. Kurti, Ruci, Rama, Reci, Syla, Bode. Trajner: Ervin Bulku
Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve: Simoni, Burgaj, Sina, Taleb, Dervishi, Skënderaj, Zengu, Bebeziqi, Hasani, Biba, Toverlani. Trajner: Ardi Behari