AlbanianSport.com 09/01/2019 22:25
ASNN – Luhen miqësoret e para të fazës përgatitore, Partizani e Kukësi me dinjitet kundër turqve, Skënderbeu përmbys Tiranën. U luajtën sot ndeshjet e para miqësore në kuadër të fazës përgatitore të klubeve të Kategorisë Superiore për këtë periudhë tranzitore dimërore. Kështu, Partizani kryesues i Superiores, zhvilloi një ndeshje miqësore me Sivasporin turk, duke barazuar me rezultatin 1-1.
Për të kuqtë e trajnerit Skënder Gega realizoi i riu i talentuar nga Maqedonia, Jasir Asani. Ndërkohë, me turqit u përball sot edhe Kukësi, në një miqësore me ish-ekipin e Sokol Cikalleshit, Instanbul Bashakshehirin, ekip që ka pasur rritje të fortë këtë sezon. Ndeshjen e fituar turqit me shifrat 2-1, por nga analiza e ndeshjes vlen të thuhet se Kukësi u paraqit me dinjitet.
Dihet që skuadra që pati përballë ka nivel më të lartë dhe është pretendente në Superligën e Turqisë. Ndërkaq, në Shqipëri u luajtën dy miqësore të elitës. Flamurtari barazoi në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës 1-1, në një takim ku më shumë se loja dhe rezultati ra në sy braktisja e skuadrës vlonjate prej shumë lojtarëve që janë rebeluar si pasojë e pagave të prapambetura. Natyrisht, kryendeshja e sotme miqësore ishte ajo midis Tiranës dhe Skënderbeut, e fituar nga korçarët me përmbysje 2-1.
Në këtë takim të dyja skuadrat luajtën mirë dhe u vu re një gjallërim i Skënderbeut, i cili në ndeshjet e fundit zyrtare në kampionat ka pësuar 4 humbje radhazi. Por kjo ndeshje prishi qetësinë e skuadrës korçare, pasi ylli i ekipit, Dejvi Bregu, u dëmtua dhe nga informacionet paraprake mësohet se do t’i mungojë grupit të trajnerit Orges Shehi shumë javë. Të dyja ekipet po i zhvillojnë, si rrallëherë më parë, fazat stërvitore dimërore në Shqipëri.