AlbanianSport.com 29.04.2016 13:30
ASNN – Universiteti i Tiranës është fitues i titullit “kampion” në Ligën Universitare. Në finale, studentët e Tiranës kanë mundur 11-4 kolegët e Universitetit të Kamzës. Trofeun ekipit fitues ia dorëzoi, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi. Kështu, Universiteti i Tiranës është fitues i titullit “kampion” të Ligës Universitare në minfutboll.
Në finale ata kanë mundur studentët e Universitetit i Kamzës me rezultatin e thellë 11-4. Ndeshja nis me gol nga ana e futbollistëve të Universitetit të Tiranës. Minutat e para janë në barazpeshë deri në rezultatin 2-2. Më pas studentët e Universitetit të Tiranës bëjnë diferencën duke shënuar gola një pas një në portën e kundërshtarëve.
Në parketin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, pas 50 minutash lojë, dëgjohet vërshëllima e arbitrit kryesor që mbyll takimin. Universiteti i Tiranës fiton trofeun. Lojtari më i mirë i aktivitetit shpallet Mario Moçka, të cilit trofeun ia dorëzon presidenti i Shoqatës së Minifutbollit Shqiptar, Klodian Kadiu.
I pranishëm në finalen e Ligës Universitare ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani. Për Universitetin e Kamzës kjo ishte pjesëmarrja e parë në këtë aktivitet. Ndërsa Liga Universitare për të dytin vit radhazi organizohet nga Shoqata Shqiptare e Minifutbollit.