Gjergj Vyshka 29.04.2016 20:50
Mario Moçka lojtari më i mirë i turneut, kurse Universiteti Epoka është fituesi i finales së vogël për vendet 3 dhe 4, duke merituar dhe Kupën “Fair-Play”. Nën moton ”Për sportin si një vlerë e shtuar”, Shoqata Sportive e Minifutbolli Shqiptar organizoi edicionin e 2-të të Ligës Universitare. Me dashamirës të sportit prezent në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet është mbyllur ky edicion i dytë, i cili ka qenë një turne i hapur në futbollin e sallës, ndërsa kanë marrë pjesë Universitetet Publike e jo publike.
Sepse qëllimi i veprimtarisë ka qenë jo vetëm nxjerrja në pah të anës akademike, por edhe asaj sportive në kampuset universitare. Universiteti i Tiranës është shpallur fitues i edicionit të dytë të Ligës Universitare 2016. Skuadra e drejtuar nga një prej trajnerëve të njohur të arenës kombëtare të futbollit, Ilir Spahiu, që përfaqësonte Universitetin e Tiranës ka mundur 11-4 në finale përfaqësuesen e Universitetit Bujqësor Kamëz, një skuadër e sapoformuar, por me një të ardhme të mirë.
Një pjesë e parë e balancuar, e cila është mbyllur në barazim 3-3. Në pjesën e dytë eksperienca e trajnerit Spahiu dhe e lojtarëve titullarë si Vatnikaj dhe Moçka bënë diferencën duke e thelluar më tej rezultatin ne shifrat 11-4. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, përfaqësuesi i “Macron” në Tiranë, Sokol Hasani, ishin figurat e njohura që morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për të dy skuadrat finaliste.
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi e përgëzoi Presidentin e Shoqatës Sportive të Minifutbollit Shqiptar, Klodian Kadiu, për nismën dhe gjithashtu shtoi se rinia ka më shumë nevojë për sport dhe për aktivitete të tilla gjithëpërfshirëse. Lojtari më i mirë i këtij turneu u shpall kapiteni i Universitetit të Tiranës, Mario Moçka. Finalja e vogël për vendin 3-4 u fitua nga Universiteti Epoka, që mori njëkohësisht dhe Kupën e lojës së ndershme.