Gjergj Vyshka 15.06.2016 16:30
Klubi kryeqytetas: “Ne e kishim thënë që në fillim që ky do të ishte sezoni i fundit, por nuk e mendonim që të mbyllej në mënyrë kaq të turpshme. Ky ishte teatri i radhës”. KS “Ali Demi” i ka dhënë fund aventurës 11-vjeçare në futbollin e sallës me dy tituj kampion, 3 Kupa të Shqipërisë dhe dy pjesëmarrje në UEFA FUTSAL KUP. Në një njoftim në profilin e tyre në rrjetin “Facebook”, ata kanë pretenduar se ky ishte një fund me turp për këtë sezon futbollistik, ndërsa, po sipas tyre, Tirana është fituese e një teatri të gatuar keq.
“FSHF e kishte shumë për zemër që të fitonte Tirana, sepse hanë të gjithë në një “sahan” e jo vetëm kaq, por ka për trajner atë të kombëtares”, kanë thënë në deklaratën e tyre për shtyp drejtuesit e KS Ali Demit, të cilët janë privuar nga lojtarët e huaj, ndonëse ato kanë qenë të federuar më parë. Jo vetëm kaq, por Komisioni i Apelit u ka dhënë të drejtë atyre, por në mënyrë të behtë ndryshohet rregullorja dhe KS Ali Demit përsëri i hiqet e drejta për të aktivizuar të huajt.
“Në fillim të kampionatit na është dhënë një rregullore, atje ku është thënë që fituesja e kampionatit rajonal do të hyjë në “play-off”. Por dhe këtu u ndryshua rregullorja, sepse nuk mund të lihej Tirana jashtë “Play-off”-it. Kërkuam të federonim dy lojtarë, por dhe atë nuk na e lanë, ndërsa Tirana merrte e hiqte lojtarë sipas dëshirës kur ka marrë dhe Olsi Bajollarin, që është i federuar me KS “Ali Demin”. Megjithatë federuam dy lojtarë kosovarë, ndërsa u siguruam që nuk do të kishte të tjera federime në finale”, thuhet në deklaratën e KS Ali Demit, që ka akuzuar se përpara finales së hënës janë federuar dy lojtarë nga Kosova për Tiranë në mënyrë të parregullt.
“Madje besuam dhe tek gjyqtarët e huaj, paguam gjithçka, por nuk na rezultoi kështu, – vijon më tej deklarata. – Sporti është një nga elementët që na e bën jetën më të mirë, na forcon, na lumturon, na bën të qajmë e na bën të fluturojmë. Por nuk ka gjë më të keqe kur sporti bie në dorë të batakçinjve. Ju na dhunuat dëshirën për të luajtur. Na masakruat ndenjat e pasionin. Të gjithë ju që mendoni se futbolli është i juaji po dhunoni dëshirën për të luajtur një kombi të tërë.”
“KS Ali Demi, me ndihmën e Zotit, me impenjimin dhe punën e pa lodhur do të ecë përpara. Ne këtu e mbyllim aktivitetin tonë të futbollit të sallës, falënderojmë përzemërsisht tifozët që na kanë ndjekur e mbështetur”, – përfundon deklarata e KS “Ali Demit”.