AlbanianSport.com 17/03/2019 14:05
ASNN – Futbolli shqiptar përjetoi ditët e fundit një dramë të vërtetë si pasojë e dhunës në stadiume e ku viktimë e dhunës ishin gjyqtarët, ndërkohë që sistemi duket të ketë degraduar në një pikë ku i gjithë ingranazhi i funksionimit është me probleme. Që ky sistem nuk është korrekt e tregon edhe lista e lojtarëve të Kombëtares e hartuar nga trajneri Kristian Panuçi, një listë që ngjall debat dhe që ka brenda saj prurje që nuk e meritojnë dhe nuk ka brenda saj të rinj që mund të ishin të perspektivës.
E sado që mediat flasin, sado që specialistët vënë gishtin mbi “plagë”, sado që njerëzit e futbollit e thonë fjalën e tyre, duket se të gjithë rrahin “ujë në hava”, sepse njerëzit që duhet ta bëjnë këtë, kryesisht në FSHF dhe në institucionet sportive shtetërore, “ngrohin” kolltuqet dhe ngrenë dorën sa herë ka zgjedhje të presidentit e komitetit ekzekutiv, pa e vrarë mendjen asnjë minutë se në çfarë gjendje të rëndë ndodhet sporti në Shqipëri, përfshi dhe futbollin.
Për të gjitha zhvillimet e fundit, Gazeta “SOT” intervistoi ish-lojtarin e Dinamos dhe Kombëtares Arben Milori, i cili prej kohësh fajëson sistemin e ngritur keq dhe “shinat” e gabuara ku operon futbolli shqiptar, sidomos me akademitë, infrastrukturën, trajningun, etj. Kjo është intervista e plotë e ish-futbollistit dhënë të përditshmes në fjalë, intervistë të cilën AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e parë.
– Ju, në një formë apo tjetër, keni rrahur një sërë çështjesh që nuk shkojnë si duhet në futbollin shqiptar, por me sa duket askush atje “lart” nuk duket i interesuar që këto çështje të marrin vëmendjen e duhur dhe futbolli vijon të ketë ato probleme që e brejnë nga brenda e ku një ndër to është dhuna. Së fundmi publikohet lista e Kombëtares dhe në të sheh lojtarë që ju vetë keni deklaruar se nuk i përfshini as për punëtorë fushe. Kur do të marrë fund ky makth?
– Ne flasim, por askush nuk na dëgjon, ju shkruani, por askush nuk lexon, duket tamam sikur rrahim ujë në hava. Si shumë gjëra të tjera në këtë vend, edhe futbolli është pjesë e një sistemi fals, një demokracie false. Unë e pashë listën e futbollistëve dhe u çudita, me të vërtetë. Duheshin ftuar të rinj të perspektivës, ata që kanë formë të mirë dhe janë në proces rritjeje, por me këtë listë që pashë unë ka diçka që nuk shkon. Duket sikur listën e bën dikush tjetër dhe ia jep gati trajnerit, ndryshe nuk konceptohet. Ftesat janë jo të duhura, por edhe grupi që njohim nuk është solid. Shumë prej këtyre futbollistëve nuk kanë intelektin e mjaftueshëm futbollistik për të bërë grup cilësor. Ajo që unë shoh është se trajneri nuk e ka kristalizuar bazën e ekipit, i cili tani duhej të ishte gati për eliminatoret.
– Çfarë ju shqetëson më shumë, emrat apo mungesa e frymës së grupit?
– Këto gjëra shkojnë bashkë, janë të ndërvarura, megjithatë, unë pashë listën dhe konstatova se disa elementë nuk janë të perspektivës, nuk e kuptoj pse i ka ftuar në Kombëtare. Është ndryshe kur fton të rinjtë, u jep një shans, por edhe i motivon për të dhënë maksimumin. Një i ri krijon vetëbesim, i hapet rruga të luajë dhe kjo është frymëzuese, kurse në listën e këtij ka futbollistë që kanë kaluar 33 vjeç dhe janë në stol me skuadrat e tyre.
– Durmishaj zgjodhi Greqinë…
– Edhe Durmishaj do të kishte luajtur me ne nëse do t’i jepej mundësia më herët. E dogjën vetë Durmishajn dhe kjo besoj vjen nga mungesa e koordinimit në FSHF. Si duket zyra menaxheriale e elementëve të Kombëtares nuk koordinohet si duhet. Nuk e di gjendjen e tyre, por shoh që ka mangësi. Ky është një proces, sepse nuk shkon ftesa pse një lojtar po paraqitet mirë në një ndeshje. Lojtarët shihen në vijimësi, ka një grafik të ecurisë së tyre dhe shihet gjendja në vazhdimësi. Ky është një proces i gjatë dhe monitorimi është i vazhdueshëm.
– Gjithë problemi në Shqipëri, jo vetëm me futbollin apo sportin në tërësi, por në të gjithë jetën shoqërore është mungesa e kontrollorëve dhe mungesa e marrjes së përgjegjësive. Pse është kaq e vështirë të funksionojë kjo hallkë?
– Ju flisni për kontrollin, por vetë kontrollin kush do ta bëjë? Themi ka punë me përgjegjësi, por përgjegjësi nuk mban askush. Fundja në Shqipëri jemi dhe këtu çudia më e madhe tre ditë zgjat. Megjithatë, unë insistoj që nuk është vetëm një hallkë që çalon, këtu është faji i sistemit. Kur themi mangësia e gjyqtarëve apo e presidentëve të klubeve, atëherë duhet të kuptojmë se si drejtuesit e skuadrave ashtu dhe arbitrat janë hallka të këtij sistemi. Dhe sistemi sportiv jo vetëm ka mangësi, por ka degraduar.
Vijon nesër…