AlbanianSport.com 23/03/2019 17:15
ASNN – Futbolli shqiptar përjetoi ditët e fundit një dramë të vërtetë si pasojë e dhunës në stadiume e ku viktimë e dhunës ishin gjyqtarët, ndërkohë që sistemi duket të ketë degraduar në një pikë ku i gjithë ingranazhi i funksionimit është me probleme. Që ky sistem nuk është korrekt e tregon edhe lista e lojtarëve të Kombëtares e hartuar nga trajneri Kristian Panuçi, një listë që ngjall debat dhe që ka brenda saj prurje që nuk e meritojnë dhe nuk ka brenda saj të rinj që mund të ishin të perspektivës.
E sado që mediat flasin, sado që specialistët vënë gishtin mbi “plagë”, sado që njerëzit e futbollit e thonë fjalën e tyre, duket se të gjithë rrahin “ujë në hava”, sepse njerëzit që duhet ta bëjnë këtë, kryesisht në FSHF dhe në institucionet sportive shtetërore, “ngrohin” kolltuqet dhe ngrenë dorën sa herë ka zgjedhje të presidentit e komitetit ekzekutiv, pa e vrarë mendjen asnjë minutë se në çfarë gjendje të rëndë ndodhet sporti në Shqipëri, përfshi dhe futbollin.
Për të gjitha zhvillimet e fundit, Gazeta “SOT” intervistoi ish-lojtarin e Dinamos dhe Kombëtares Arben Milori, i cili prej kohësh fajëson sistemin e ngritur keq dhe “shinat” e gabuara ku operon futbolli shqiptar, sidomos me akademitë, infrastrukturën, trajningun, etj. Kjo është intervista e plotë e ish-futbollistit dhënë të përditshmes në fjalë, intervistë të cilën AlbanianSport.com po jua sjell në 3 pjesë dhe sot është pjesa e 3-të dhe e fundit.
… vijon nga dje
– Është përjashtuar Kamza nga gara dhe ky është një prej vendimeve më të forta të dhëna kundër dhunës. Sipas jush, u bë mirë apo keq që u përjashtua një skuadër nga gara? Kam parasysh këtu lojtarët që u penalizuan pa të drejtë, ata nuk ishin pjesë e dhunës….
– Mendoj se u bë mirë, e them këtë të bazuar në disa principe. Në Kamzë ndodhi një krim (le të themi kështu) dhe krimi ndëshkohet. Kur një fenomen si dhuna pushton kampionatin, atëherë duhen marrë masa të rrepta dhe kur kemi parasysh masat e rrepta përjashtimi i skuadrës futet në këtë kategori ndëshkimi. Gjithmonë sipas mendimit tim, jeta e gjyqtarit u vu në rrezik dhe kjo është shqetësuese, ekstreme, prandaj dhe ndëshkimi duhet të jetë ekstrem.
– Dakord, por nuk duhet të harrojmë problemin e gjykimit në futbollin shqiptar…
– E drejtë, pasi edhe gjykimi është pjesë e sistemit për të cilin folëm, por dhuna, në çfarëdo forme qoftë, është e papranueshme. Çfarë kuptimi do të kishte gara nëse do të kishim të dëmtuar nga dhuna. Parë në këtë formë, në këndvështrimin tim masa e marrë ishte korrekte. Nisem nga ajo që pashë dhe natyrisht nga shembulli që duhet të merrte ky fenomen. Jam kundër dhunës dhe për një garë të drejtë, edhe pse fenomeni është i vështirë të luftohet në Shqipëri, pasi shqiptarët janë gjaknxehtë, nuk janë pjekur si shoqëri për të pasur një futboll ku të gjithë argëtohen dhe shijojnë emocionet e garës. Natyrisht, asgjë nuk është e përkryer, as gjyqtarët, të cilët kanë mëkatet e tyre. Dihet që edhe ata janë pjesë e sistemit. Dhe në këtë sistem më e keqja janë presidentët e klubeve që nxisin dhunë dhe bëjnë pazare. Ndodh që tifozi të ndihet i tradhtuar dhe i fyer, por dhuna, në çfarëdolloj forme qoftë, është e papranueshme. Siç thamë, gjyqtarët janë pjesë e këtij ingranazhi të shëmtuar ku operon futbolli në Shqipëri, por nëse duam të japim shembuj të luftës kundër fenomeneve negative, dhënia e një maste ekstreme për Kamzën është korrekte. Nga ana tjetër, krahasimi se dhuna këtu ndodh si në botë, në Itali e gjetkë, është e gabuar, pasi dhuna atje është mes tifozëve por nuk ka dhunë ndaj lojtarëve dhe gjyqtarëve. Dhe, e dyta, meqë flasim për tifozët, atje stadiumet janë plot, kurse këtu stadiumet janë bosh.
– Kur flasim për kampionatin vëmendja shkon tek një skuadër, Partizani, i cili pas 26 vjetësh “shterpësi” synon titullin kampion. Kjo skuadër nuk prodhon lojë të bukur kjo është evidente, por është në krye të renditjes dhe ka shanse. A do t’ia dalë Partizani të fitojë titullin?
– Nëse nuk ndodh ndonjë çudi në këtë kampionat, nga ato që jemi mësuar ndër vite të dëgjojmë e shohim në javët e fundit, dhe nëse nuk do të ketë ndonjë kulisë, besoj se do t’ia dalë. Duhet të themi nja dy gjëra për Partizanin e këtij sezoni: trajneri dhe ekipi kanë punuar mirë, stafi ka qenë në lartësinë e duhur, për më tepër Partizani nuk është përmendur këtë sezon për kulisa, pazare e gjëra të tilla, çdo gjë e ka me meritë. Ndoshta është në vend të parë sepse Skënderbeu që ka dominuar garën vitet e fundit nuk është më i mëparshmi, por unë do të isha i gëzuar për Partizanin ta fitonte titullin. Kam luajtur dy vite me këtë skuadër dhe me trajnerin aktual Gega kam luajtur gjashtë muaj tek Partizani. Është serioz, punëtor dhe po i merr më të mirën këtij ekipi. Ndoshta nuk prodhon spektakël, apo lojë të bukur, por është funksional dhe falë punës e strategjisë së trajnerit po shkon drejt suksesit.