AlbanianSport.com 11/03/2021 21:40
ASNN – Mbyllet 1-1 përballja e parë me Mançester Junajtid, Kjaer “shpëton” italianët nga humbja. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, është rikthyer të enjten me takimet e para të turit të 16-shes. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt në RTSH 1, takimin më të spikatur Mançester Junajtid-Milan, që u mbyll në barazim 1-1. Ndërsa në RTSH Sport, duke nisur nga ora 19:00, e deri në ora 23:00, kanë ardhur drejtpërdrejt të gjithë golat e mbrëmjes.
Kështu, është mbyllur në barazim 1-1 takimi i parë i çiftit që ishte cilësuar si finalja e parakohshme, pasi Milani ka shënuar në shtesë për t’i mohuar Mançester Junajtid një fitore minimale në “Olld Traford”. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, është rikthyer të enjten me ndeshjet e para të turit të 16-shes, që, ndryshe nga sezonin e shkuar, do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje.
Si çdo të enjte evropiane, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt në kanalin RTSH 1 ndeshjen më të spikatur të mbrëmjes, atë midis Mançester Junajtid dhe Milanit, ndërsa në kanalin RTSH Sport kanë ardhur drejtpërdrejt, në një maratonë thuajse 4-orëshe, të gjithë golat e 16 takimeve të mbrëmjes. Në fakt, Milani e ka mbizotëruar pjesën e parë, duke e gjetur edhe dy herë rrugën e rrjetës, brenda 10 minutave të para.
Por fillimisht goli është anuluar për pozicion jashtëloje dhe, më pas, nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), për një prekje me dorë. Kështu, me rrjeta të paprekura është mbyllur pjesa e parë, por, në të dytën, pas 5 minutash lojë, është Mançester Junajtid që shënon. Skuadra angleze do ta administrojë epërsinë minimale, por Milani nuk do të dorëzohet dhe do të këmbëngulë deri në fund.
Dhe kjo këmbëngulje do të shpërblehet në minutën e dytë shtesë, nga 3 të tilla, kur Kjaer do të gjejë golin që do t’i japë Milanit një barazim të vyer për ndeshjen e kthimit.