AlbanianSport.com 24/03/2021 19:25
ASNN – Donaruma, Ibrahimoviç dhe Romanjoli janë 3 lojtarë, të cilët kanë si menaxher Mino Rajolën. Kontratat e të tre lojtarëve të Milanit janë në skadim e sipër. E duket se vetëm kualifikimi në Ligën e Kampioneve i Milanit në sezonin e ardhshëm do të zgjidhë gjithçka për të ardhmen e këtyre lojtarëve. Çështje ekuilibrash. Milani edhe njëherë bën të qartë se nuk mund të mbahet peng nga askush. Marrëdhëniet me Mino Raiolan janë gjithnjë e më shumë delikate dhe po monitorohen me kujdes, sepse nga ai, me dashje apo pa dashje, kalon e ardhmja e një pjese të mirë të futbollistëve kuqezinj.
Bëhet fjalë për boshtin kryesor të skuadrës së trajnerit Pioli, e më konkretisht Xhixhio Donaruma, Alesio Romanjoli e Zllatan Ibrahimoviç. Të 3 janë nën kujdesin e menaxherit më të rëndësishëm në botë. Dhe merkato është shumë pranë, e kontratat e tyre janë ende pezull. Dëshira e të 3 futbollistëve është të qëndrojnë në Milano, por sot kjo gjë nuk merret e mirëqenë. Drejtuesit Gazidis, Maldini e Masara nuk janë të shqetësuar, por tani ka ardhur momenti për të marrë vendime. Në tavolinë ata kanë kontratat e portierit dhe sulmuesit, të cilat skadojnë në qershor 2021.
Ndërsa kontrata e mbrojtësit skadon në 2022. Kapitulli “Donaruma” është më delikati, sepse Milani nuk mund ta humbasë me parametra zero, një nga portierët më të fortë në botë. Xhixhio dëshiron të qëndrojë te Milan padyshim, por po pret edhe ofertën e duhur. Deri tani rritja e pagës, e propozuar nga 6 në 8 milionë Euro e ka lënë të paqartë të ardhmen e poriterit. Një arsye është se po pret kualifikimin në Ligën e Kampioneve, sezonin e ardhshëm, e dyta është për të marrë shiritin e kapitenit. Ky i fundit është edhe argumenti më i theksuar.
21-vjeçari, ndjehet tashmë një nga liderët e skuadrës kuqezi në dhomat e zhveshjes, e si i tillë kërkon të ndjehet edhe në fushë. Këtu hyn në lojë, Romanjoli që te ky Milan është kapiten, por po përjeton një moment të mjegullt. Këtë e komplikon edhe më shumë ardhja e Tomorit dhe një dëmtim i vogël i numrit 13. I cili nuk ndjehet më i pazëvendësueshëm në rolin e tij, ndaj nuk do të duket çudi nëse ndodh diçka me kontratën e tij. Maldini duhet të evitojë që edhe mbrojtësi të arrijë në merkato, me kontratën në skadencë.
Ndaj dy janë mënyrat, ose të shitet në qershor, ose të rinovojë. Nga shitja e tij Milan kërkon të përfitojë të paktën 20 milionë Euro, të cilat mund t’i dërgojë te Çellsi për të blerë kartonin e Tomorit, që kushton 28 milionë Euro. Këto mundësi po shqyrtohen në shtëpinë e Milanit, e për të gjitha këto do të flitet edhe me Rajolën. Në fund është Ibra, për të cilin ka shumë optimizëm. Në praktikë, për Zllatanin vendos vetë Zllatani, dhe vullenti i tij për të qëndruar është një “pasim” për Maldinin. Tashmë mbetet për t’u hedhur e zeza mbi të bardhë, por klubi kuqezi nuk e ka me nxitim.
Rruga drejt Ligës së Kampioneve sezonin e ardhshëm, do të qartësojë gjithçka.