AlbanianSport.com 02.06.2015 10:15
ASNN – Pas 60 vitesh, Interi dhe Milani nuk do luajnë në Evropë. Finalja e Ligës së Kampioneve më 2016-n vërtet që do të luhet në “San Siro”, por tifozët e dyja skuadrave milaneze, zikaltërve dhe kuqezinjve, nuk do kenë interes për të ndjekur garën më prestigjioze europiane, pasi skuadrat e tyre nuk do jenë pjesë e garës.
Madje, as finalja e Ligës së Evropës, që do luhet në Bazel të Zvicrës, nuk do jetë ngushëllim, duke qenë se pas 60 vitesh qyteti i Milanit nuk do ketë asnjë skuadër të tij në Evropë.
Zikaltërit e kanë mbyllur kampionatin të tetët në renditje, ndërsa Milani i dhjeti. Kuqezinjtë nuk ishin pozicionuar kaq poshtë në renditje prej gati 20 vjetërsh, që nga viti 1997.
Kualifikimi i Juventusit në finale të Ligës së Kampioneve kishte dhënë shpresa se futbolli italian mund të rikthehet i fuqishëm si dikur, por kjo nuk mund të ndodhë pa dy skuadrat me traditë në futbollin evropian.
Filipo Inzagi gëzon një mbështetje nga tifozët, për faktin se kontributi i tij si lojtar ka qenë i madh, por si trajner ka lënë për të dëshiruar. Ndoshta, ai nuk është njeriu i duhur për të rikthyer kuqezinjtë në Evropë.
Në anën tjetër, kushërinjtë e tyre Interi, përkundër një optimizmi në fillim të këtij viti, me ardhjen e lojtarëve të rinj si Podolski apo Shaqiri, prapë ka zhgënjyer. Zikaltërit pritet të kenë lëvizje në merkato.
Kjo pasi edhe presidenti indonezian, Tohir, e ka kuptuar që pa shpenzuar nuk ka Evropë. Por, “fair-play”-i financiar i ka kushtëzuar dyja skuadrat, por me presionin që vijnë nga grupet e tifozëve, Tohiri dhe Berluskoni duhet të kërkojnë alternativa për të ringritur skuadrat e tyre.
Në të kundërtën, tifozët vështirë të pajtohen që edhe në sezonin 2016-2017 nuk do jenë në Evropë.