Gjergj Vyshka 10.10.2016 09:00
Bledar Mesi, Deborah Keçi, Luiza Gega dhe Ilir Këllezi ishin ata që u ngjitën në podiumin e triumfatorëve të kësaj gare vrapimi. Pas 4 vjetësh mungesë, dje në kryeqytet është rikthyer Maratona e zakonshme, e cila ka pasur për profesionistët gjatësinë 21 kilometra. Më saktë është vrapuar nga qendra e Tiranës deri tek kthesa e Rinasit dhe kthim duke bllokuar kështu një aks të autostradës Tiranë-Durrës.
Por jo vetëm kaq, por është vrapuar dhe në gjatësinë 10 kilometra, e cila ka përfshirë profesionistë dhe amatorë të vrapimit, si dhe në 1 kilometër për nxënësit e shkollave dhe dy kilometra për ato me karroca. Mbi 1,000 vrapues të regjistruar të cilët kanë përfaqësuar jo vetëm Shqipërinë e Kosovën, por dhe Gjermaninë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje me të gjithë amatorët e vrapimit ka garuar dhe vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, që përkrah ka pasur zëvendësministrin e Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, gjyqtarë të futbollit, si Ermal Barushi, apo dhe figura të futbollit si Sulejman Starova etj. Ndërkohë në përshëndetjen e vrapuesve, krahas Veliajt, dhe ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka qenë dhe kryetarja e Bashkisë së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.
Madje ajo ka ka bërë ftesë zyrtare për të gjithë për të marrë pjesë në Maratonën, Gjakovë-Bajram Curri. Po kështu në shpërndarjen e medaljeve ka qenë i pranishëm dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Sakaq janë shpallur dhe fituesit, teksa për 10 kilometra në vendin e parë ishin Bledar Mesi dhe Deborah Keçi, kurse në 21 kilometra Ilir Këllezi dhe Luiza Gega.