AlbanianSport.com 20/11/2018 21:00
ASNN – Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi kanë dominuar futbollin botëror në këtë dhjetëvjeçar të fundit, ku secili prej tyre ka fituar 5 “topa të artë”. Debati nëse është njëri apo tjetri më i miri në botë dhe në historinë e kësaj loje ka qenë i fortë dhe do të vijojë të jetë, sepse të dy futbollistët janë aktivë. Por ka plot figura të mëdha të futbollit që Mesi e Ronaldo nuk janë më të mirët, sepse para tyre ka luajtur një gjeni si fenomeni brazilian Ronaldinjo, “mbreti” i driblimeve dhe lojës spektakolare.
I këtij mendimi është dhe ish-ylli brazilian, i konvertuar në portugez, i Barcelonës, Deko. Sipas tij, Mesi dhe Ronaldo janë shumë të mirë, por ylli i vërtetë i futbollit është Ronaldinjo. “Nëse gjykojmë nga jashtë, – shprehet Deko, – është e qartë se Lionel dhe Kristiano janë më të mrekullueshmit, veçanërisht pasi askush nuk mendonte se ata do ta mbanin për një kohë kaq të gjatë rivalitetin për numrin një në botë. Megjithatë, për mua, Ronaldinjo do të jetë gjithmonë më i miri.”
“Ne u takuam në Barcelonë dhe menjëherë u lidhëm shumë. Momentet që i përjetova me të nuk mundem t’i krahasoj me asgjë tjetër, ishin magjike”, – thekson më tej Deko. Gjeniu brazilian, Ronaldinjo u tërhoq nga futbolli i luajtur përfundimisht dhe zyrtarisht në fillim të këtij viti, duke i dhënë kështu fund një karriere të jashtëzakonshme 20-vjeçare, tre vjet pasi e kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit si futbollist profesionist për Fluminensen në ligën braziliane të futbollit.
Ronaldinjo e Deko kanë luajtur së bashku tek Barcelona midis viteve 2004 dhe 2008, nën drejtimin e trajnerit Frank Rajkard, ku kanë fituar dy tituj “kampionë” dhe një Ligë të Kampioneve.