AlbanianSport.com 08/03/2021 14:10
ASNN – Lojërat Olimpike të Tokios do të zhvillohen pa spektatorë të huaj, për shkak të shqetësimeve të shkaktuara nga epidemia globale e “Covid-19”. Agjencia vendase e lajmeve “Kjodo” citon burime zyrtare që pohojnë se qeveria ka ardhur në përfundimin se mikpritja e spektatorëve nga jashtë Japonisë nuk do të jetë e mundur, për shkak të shqetësimit të publikut vendas për virusin korona dhe zbulimin e varianteve të reja dhe më ngjitëse në shumë vende.
Po kështu, agjencia japoneze e lajmeve ka bërë të ditur se edhe ceremonia e hapjes do të zhvillohet pa spektatorë. “Komiteti Organizator ka vendosur që është thelbësore që ta organizojë ceremoninë e hapjes në prefekturën verilindore të Fukushimës me dyer të mbyllura, duke lejuar vetëm pjesëmarrësit, pra, sportistët, dhe të ftuarit, me qëllim shmangien e turmave të mëdha të njerëzve në këtë kohë epidemie”, – raporton “Kjodo”, duke cituar burime zyrtare. Ndonëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), kishte deklaruar se vendimi për spektatorët e huaj do të merrej në fund të marsit, ky vendim është marrë tanimë. Në fakt, shumica e japanezëve nuk i duan vizitorët e huaj të pranishëm në këto Lojëra Olimpike, duke iu trembur asaj se një fluks i madh vizitorësh mund të nxitë rritjen e infektimeve me “Covid-19” në vend. Një anketë e gazetës vendase “Jomiuri” nxorri në pah se 77 % e të pyeturve ishin kundër lejimit të spektatorëve të huaj në Olimpiadë dhe vetëm 18% pro.