Adriatik Balla 11.06.2015 08:50
Merkato në Kategorinë Superiore ka filluar e vrullshme, diktuar dhe nga fakti se janë katër klube që marrin pjesë në turet eliminatore të veprimtarive evropiane dhe kanë nevojë për përforcime. Partizani ka lëvizur mirë në këtë drejtim, duke marrë lojtarë cilësorë e me eksperiencë si Plaku e Bicaj, por jo më pak të rëndësishme kanë qenë edhe lëvizjet që ka bërë klubi i Skënderbeut.
Skuadra korçare duket e këtë sezon ka rënë në “dashuri” me lojtarët brazilianë, pasi brenda tre ditësh ka afruar dy të tillë, fillimisht Limën dhe së fundmi Pinton. Lëvizje të tilla të skuadrës korçare tregojnë ambicien e saj për të luajtur si duhet në Ligën e Kampioneve dhe janë pikërisht drejtuesit e skuadrës që dëshirojnë të kalojnë më shumë se një tur në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës, Ligës së Kampioneve. Ndërkaq, Kukësi dhe Laçi janë më pas në lëvizjet e tyre, ndoshta janë duke testuar tregun, për të bërë lëvizjen e duhur në kohën e duhur. Megjithatë, Skënderbeu dhe Partizani janë dy skuadrat që kanë bërë lëvizjet më të bujshme në këto dhjetë ditë të para të qershorit, duke spikatur për cilësinë e elementëve të afruar, si dhe dëshirën për të bërë më të mirën në këtë sezon të veprimtarive evropiane.