Adriatik Balla 22.06.2015 09:45
Klubet e Superiores kanë nisur një valë të madhe afrimesh në këtë merkato, duke qenë të përgatitura të përballojnë sfidat e sezonit të ardhshëm. Lëvizje të tilla të shpejta e të fuqishme mund të merren edhe si një konkurrencë e fortë në treg midis klubeve pretendente për trofetë e sezonit të ardhshëm, pasi gara u kuptua që është e gjatë dhe e fortë dhe duhen lojtarë cilësorë e të shumtë në numër që të përballohet sezoni.
Sezoni i kaluar ka shërbyer si shembull për t’u ndjekur jo vetëm përsa i përket futbollit të fushës. Klubet e Kategorisë Superiore kërkojnë kohë për të menaxhuar sa më mirë të ardhurat dhe në këtë periudhë afrimesh dhe largimesh të lojtarëve po tregojnë pjekuri. Shumë aktive për momentin kanë qenë ato skuadra të cilat do të përfaqësojnë kampionatin shqiptar në arenën evropiane.
Skënderbeu, Partizani dhe Laçi kanë konfirmuar mbi 90% të grupit që mbylli sezonin e kaluar, teksa më i lëkundur në këtë aspekt është treguar Kukësi. Ndryshe nga e njëjta periudhë e verës së shkuar, mungojnë emrat e mëdhenj në këtë periudhë merkatoje, edhe pse nuk kanë munguar rikthimet në kampionatin shqiptar. Kampionët e Skënderbeut kanë zgjatur kontratat me titullarët dhe kanë afruar futbollistë aty ku hasën probleme edicionin e shkuar.
Sulmi ishte pika më e dobët për korçarët dhe aty afrimet kanë mbizotëruar, me vlonjatin Abilaliaj dhe brazilianin Lima. Një alternativë më shumë në mesfushë është Bekim Dema që la Vllazninë për kampionët. Tek Partizani gjërat kanë ndryshuar pak, teksa largimet e Cuculit dhe Rrahmanit janë zëvendësuar me afrimet e Bicaj dhe Kalarit, ndërsa në sulm forca e të kuqve shtohet me një element cilësor si Sebino Plaku.
Një afrim i kujdesshëm mund të konsiderohet edhe ai i Alsid Tafilit, i cili pritet të shtojë konkurrencën në repartin e mesfushës. Edhe Laçi është treguar i kujdesshëm, teksa largimin e kapitenit Buljan për momentin e zëvendëson me lojtarët në përbërje, por kurbinasit kanë bërë goditjen me afrimet e shkodranëve Sukaj dhe Vucaj, të cilët për momentin janë përforcime vetëm për Evropën.
Ndërkohë krejt e kundërta ndodh me Kukësin, që ka lejuar stafin teknik dhe disa prej futbollistëve që mbyllën edicionin e kaluar të largohen. Nëse ekipet pjesëmarrëse në veprimtaritë evropiane janë të kolauduara, nuk ndodh e njëjta gjë me skuadrat e tjera. Tirana, Flamurtari apo edhe Vllaznia nuk po nxitohen për të formatuar ekipin dhe kjo duhet parë si një sinjal pjekurie i drejtuesve të klubeve, të cilët nuk vihen nën presion nga futbollistët, por kërkojnë kohën e duhur për të bërë lëvizjen më të mirë të mundshme.