AlbanianSport.com 09.01.2016 07:55
Nga Skënderbeu te Tirana e Flamurtari, brazilianët po pushtojnë merkaton e dimrit në Kategorinë Superiore. Lojtarët nga vendi 5 herë “kampion” i botës duket se janë të preferuarit për skuadrat e nivelit më të lartë të futbollit shqiptar gjatë kësaj merkatoje të janarit. Vetëm në ditët e para të saj, shtatë lojtarë nga Brazili janë transferuar në futbollin shqiptar.
Me pak fjalë, futbollistët brazilianë kthehen në modë në merkaton e dimrit në Kategorinë Superiore. Nga Skënderbeu te Tirana, Flamurtari e Kukësi, vetëm në ditët e para të tregut të transferimeve janë zyrtarizuar shtatë lojtarë që vijnë nga vendi i futbollit. Korçarët kampionët në fuqi vazhdojnë fazën përgatitore në Marbeja të Spanjës, ku janë bashkuar edhe dy blerjet e fundit.
I pari është Renatinjo. Sulmuesi brazilian do të zëvendësojë Peter Olajinkën që u transferua tek Genti në Belgjikë. Futbollisti tjetër që është venë në dispozicion të trajnerit Mirel Josa është shqiptari i Maqedonisë, Valmir Nafiu, ndërsa pritet që për korçarët të luajë edhe talenti tjetër shqiptar, Enis Gavazaj. Edhe Tirana do t’i besojë dy futbollistëve brazilianë në pjesën tjetër të sezonit në Kategorinë Superiore.
Duke nisur nga e hëna, trajneri Ilir Daja do të ketë shërbimet e Hugo Almeidas dhe Aleks Uillianit. I pari është një qendërsulmues, siç kishte kërkuar vetë trajneri, ndërsa tjetri një organizator i mirëfilltë, dy role që bardhebluve të kryeqytetit u kishin munguar gjatë këtij kampionati. Kolonia e futbollistëve brazilianë në Shqipëri shtohet me dy blerjet e Flamurtarit.
I pari ishte mbrojtësi Danilo Alevesh, ndërsa pas tij klubi vlonjat prezantoi edhe sulmuesin 19-vjeçar Lukas Kanixhja. Por goditja e madhe e Flamurtarit në merkaton e janarit pritet të jetë një emër i njohur në kampionatin shqiptar si Nuredin Orelesi. Ish-mesfushori i Skënderbeut do të kthehet në Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar, pas përvojës në Ukrainë.
Nuk mbetet pas as Partizani. Me uljen në pankinë të Andrea Agostinelit, tregu italian është i preferuari i të kuqve të kryeqytetit. Goditja e parë ishte Felipe Gomes Ribeiro, 28-vjeçari që më parë ka qenë pjesë e Romës në Seria A, por edhe e Peruxhias në Serinë B. Por objektivi më e rëndësishëm është sulmuesi italian Ferdinando Sforzini, i cili pritet të bashkohet me Partizanin, përpara rinisjes së fazës së tretë.