AlbanianSport.com 10/08/2021 20:15
ASNN – Merkatoja verore ka qenë intensive dhe për shumë lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares kuqezi, që kanë ndryshuar skuadra dhe kanë nisur eksperienca të reja. Mbrëmë janë zyrtarizuar edhe transferimet e Odise Roshit dhe Ardian Ismajlit të cilët në sezonin 2021-2022 do ta nisin si protagonist me “fanella të reja”.
Roshi, mesfushori i Kombëtares kuqezi, ka mbyllur përvojë e tij në Hungari, tek DVTK-ja, ku u aktivizua për 6 muaj pas dëmtimit të rëndë që kishte pësuar, dhe ka zgjedhur që karrierën e tij ta vazhdojë në Turqi, te Bolyspori.
Aty ku do të gjejë edhe portierin Gentian Selmani dhe Këpucën e Artë të Kategorisë Superiore në edicionin 2020-2021, Dejvi Bregu, që u transferua nga kampionët e Teutës.
Ndërkaq, Ardian Ismajli, qendërmbrojtësi kuqezi, që numëron 18 ndeshje dhe 1 gol me Kombëtaren, pas sezonit të parë në Serinë A tek Specia, ku u transferua verën e shkuar, duke ardhur nga Hajduku i Splitit, këtë edicion do ta nisë me fanellën e Empolit, ku u transferua mbrëmë dhe bëri prezantimin me skuadrën e tij të re.
Tek skuadra toskane, Ismajli do t’i bashkohet Nedir Bajramit dhe Kristjan Asllanit që gjithashtu janë pjesë e Kombëtares të rriturve dhe asaj të Nën-21-vjeçarëve, duke krijuar një treshe kuqezi te Empoli.