AlbanianSport.com 17/03/2019 17:45
ASNN – Formula 1, Botasi fiton në Australi dhe zbret nga froni Hamiltonin, Ferrari dështim që në nisje. Formula 1 ngriti siparin për këtë sezon, duke zhvilluar garën e parë të këtij edicioni, Çmimin e Madh të Australisë, të cilin e fitoi Valteri Botas. Ai u nis i dyti në këtë garë por e mbylli në vend të parë, duke zbritur nga froni Ljuis Hamiltonin, shokun e tij të skuadrës së “Mercedesit”, i cili e mbylli garën në vend të dytë. Një fitore e madhe në rang ekipor për “Mercedesin”, ndërkohë që zhgënjeu tërësisht “Ferrari”, i cili zuri vendet e 4-t dhe të 5-të.
Midis “Mercedesit dhe Ferrarit u rendit piloti i Red Bullit, Maks Verstapen, i cili bëri një garë mjaft të mirë nga fillimi e deri në fund. Kjo e ndihmon atë ta nisë me rivalitet këtë sezon e pse jo të bëjë surpriza në javët dhe muajt e ardhshëm. Ndërkohë, dy pilotët e “Ferrarit”, Sebastian Fetel dhe Sharl Lëklërk, e mbyllën përkatësisht në vend të 4-t dhe të 5-të. Ishte një garë për t’u harruar për pilotin gjerman Sebastian Fetel, që u nis nga vendi i 3-të por zhgënjeu gjatë gjithë kohës dhe vendi i 4-t mund të quhet arritje për të.
Një pozicion i mirë për shokun e tij të skuadrës, Lëklërk, në vend të 5-të, i cili kishte mundësi ta parakalonte shokun e tij të skuadrës, por që nuk u la nga skuadra e tij, pasi u sinjalizua që duhet të mbante vendin e tij. Nga gara e Australisë mund të kuptohet që “Mercedesi” është sërish një makinë shumë e shpejtë, ndërsa “Ferrari” shfaq probleme të theksuara pa nisur mirë gara. Me siguri që inxhinierët e “kokëkuqes” do të marrin masat e duhura për të përmirësuar gjërat e nevojshme në makinë që të rivalizojnë “Mercedesin” në garat e ardhshme.