AlbanianSport.com 06/10/2018 15:00
ASNN – Strategjia e shkëlqyer e skuadrës gjermane të “Mercedesit” e ndihmoi Ljuis Hemiltonin të sigurojë për të 80-n herë në Formula 1 nisjen nga vendi i parë. Ndërsa përkrah britanikut do të niset shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas. Sikundër provat zyrtare të shtunën, edhe gara e së dielës e Çmimit të Madh të Japonisë në Formula 1 do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 06:45.
Çmimi i Madh i Japonisë ka parë një tjetër triumf të “Mercedesit” ndaj “Ferrarit” që në provat zyrtare të shtunën, pas strategjia e shkëlqyer e skuadrës gjermane e ndihmoi Ljuis Hemiltonin të sigurojë për të 80-n herë në Formula 1 nisjen nga vendi i parë, ndërsa përkrah britanikut do të niset shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas. Kurse për skuadrën italiane, kjo ishte një ditë zhgënjyese, pasi Kimi Raikonen do të niset nga vendi i 4-të të dielën.
Ndërsa sfidanti kryesor për titull, Sebastian Fetel, nga ai i 9-ti, në një seancë provash zyrtare që ra viktimë e tekave të motit. “Mercedesi” e lexoi shumë mirë motin tekanjoz në Japoni, duke bërë të mundur që të dy pilotët e saj të bënin xhirot e shpejta që në fillim të seancës së 3-të dhe të fundit të provave zyrtare, para se shiu të zbarkonte mbi pistë, duke siguruar gjithashtu për të 5-tën herë radhazi nisjen nga radha e parë të dy pilotëve të skuadrës gjermane në Suzuka.
Maks Verstapeni do të niset nga vendi i 3-të, por shoku i tij i skuadrës së “Red Bull”-it, Daniel Riçiardo pati probleme me presionin e motorit dhe u detyrua të kënaqej me nisjen nga vendi i 15-të. Holandezi do të ketë në krah finlandezin e “Ferrarit”, Kimi Raikonenin, ndërsa radhën e 3-të të nisjes do ta plotësojnë Romën Groszhoni i “Haas”-it dhe Brendon Hartli i “Toro Rosso”-s. Dhjetëshen e të parëve do ta plotësojë Pjer Gasli, Esteban Okoni, Sebastian Feteli dhe Serxhio Perezi.