AlbanianSport.com 18.04.2015 17:00
ASNN – Mediat serbe kanë mbetur të zhgënjyera nga seanca në Gjykatën e Arbitrazhi Sportiv. Sipas tyre pala shqiptare ishte dukshëm superiore, pasi Federata Serbe e Futbollit nuk e kishte përgatitur si duhet mbrojtjen e saj. Seanca në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv ka zhgënjyer serbët. Mediat në vend e kanë cilësuar si një dështim mbrojtjen e juristëve të federatës serbe përpara trupit gjykues, duke nënvizuar faktin se ishin shqiptarët ata që fituan nga seanca maratonë e Lozanës.
Sipas tyre, humbja më e madhe ka të bëjë me faktin se akuzat e Federatës Shqiptare për racizëm u pranuan si fakt. Po ashtu, në vendimin përfundimtar të KAS-it mund të ndikojë edhe dëshmitë e kapitenit Branislav Ivanoviç dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Serbe, Zoran Lakoviç. Mediat serbe kanë theksuar faktin se ndryshe nga Lorik Cana që udhëtoi nga Roma drejt Lozanës për të qenë i pranishëm Ivanoviç preferoi të qëndronte në Londër, duke dhënë dëshminë e tij me video-konferencë.
Por jo vetëm kaq, si mbrojtësi i Çelsit ashtu edhe Lakoviç dryshuan versionin që kishin shkruar në raportin e paraqitur në komisionin e Disiplinës dhe Apelit në UEFA. Ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë se gjyqtari Atkinson i kishte thënë se ndeshja mund të riniste vetëm pasi të vendosej siguria, në dëshminë e tij në KAS, Ivanoviç tha se gjyqtari anglez kishte dalë bashkë me të deri te tuneli që të nxjerr në fushë. Nga ana tjetër, Lakoviç ka pranuar se ideja për të boshatisur stadiumin ishte vetëm e palës serbe.
Duke qëndruar në ato që raportojnë mediat serbe edhe përgatitja e çështjes nga juristët e Federatës së Serbisë linte për të dëshiruar, ndërsa diferenca e avokatëve mbrojtës ishte e madhe në favor të shqiptarëve.