AlbanianSport.com 05/12/2018 14:45
ASNN – Mediat sportive greke shkruajnë sot se sulmuesi shqiptar Fiorin Durmishaj, aktualisht pjesë e Panioniosit në Superligën helene, ka arritur akordin me drejtuesit e Olimpiakosit, klubit më të madh grek, dhe në verën e vitit 2019 do të zyrtarizohet si lojtari më i ri i klubit të Pireut.
Sipas mediave greke, klubi i Olimpiakosit ka vlerësuar formën që po kalon Durmishaj dhe është gati që të paguajë kartonin e tij në drejtim të Panionosit, në mënyrë që ta marrë përfundimisht lojtarin në gjirin e tij. Raportet midis Olimpiakosit dhe Panioniosit janë shumë të mira.
Dhe marrëveshjet midis tyre gjithmonë janë mbyllur me mirëkuptim, siç ka ndodhur në rastin e Masurasit, afro një vit më parë. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Durmishaj, ka shënuar deri tani 4 gola në 12 ndeshje të luajtura dhe konsiderohet si një prej të rinjve premtues në futbollin grek.
Aq sa federata greke bëri çmos që ai të vishte fanellën e përfaqësueses helene, por djaloshi shqiptar preferoi ngjyrat kuqezi. Në ndeshjet e nëntorit të Shqipërisë kundër Skocisë dhe Uellsit, edhe pse ishte i ftuar, ai mungoi për shkak se nuk u lejua të largohej nga Greqia, sepse po bën shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Sidoqoftë, Durmishaj konsiderohet lojtar me të ardhme në gjirin e Kombëtares.