Adriatik Balla 12.07.2015 13:20
Mediat e huaja e kanë komentuar në mënyrë pozitive vendimin e dhënë nga CAS për ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke vënë theksin tek dhuna që u ushtrua ndaj futbollistëve të Kombëtares Shqiptare në stadiumin e Partizanit të Beogradit mbrëmjen e 14 tetorit të vitit 2014 nga huliganë serbë që pushtuan fushën e lojës. Nga ana tjetër, në analizën e tyre evidentohet fakti se Shqipëria ka pasur një rritje të rëndësishme në lojë e rezultate gjatë viteve të fundit, duke qenë një kandidate e fortë në grupin i eliminator për të siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian “Francë 2016”.
Në analizën e shumë mediave sportive në Internet, evidentohen statistikat bindëse të ekipit kuqezi, numri i paktë i golave të pësuar, fitorja me Portugalinë dhe fitorja në miqësoren me Francën, bindshmëria në lojë me rivalët e tjerë në grup dhe natyrisht pozicionimi i saj në renditjen e FIFA-s, si asnjëherë tjetër në vend të 36-të, si dëshmi e rritjes cilësore dhe e shtimit të pikëve të saj në klasifikimin botëror. Të gjitha këto, e bëjnë Kombëtaren pretendente për t’u kualifikuar për në “Euro 2016”. Media të tilla si “L’Equipe”, “Gazzetta dello Sport” italiane etj, kanë sjellë të dhëna interesante rreth ecurisë së Kombëtares Shqiptare.
Vendimi i CAS-it zbardhi realisht atë që ndodhi në mbrëmjen e 14 Tetorit dhe i dha Shqipërisë atë që meritonte, jo vetëm për një mbrëmje por në total për atë që ka zhvilluar në këto eliminatore. Nëse i hedh një sy statistikave të këtij edicioni, Shqipëria është padyshim skuadra më e mirë në Grupin I për momentin. Portugalia është e vërtetë se kryeson me 2 pikë më shumë grupin, por ka dhe një ndeshje më shumë se Kombëtarja kuqezi. Shqipëria është e vetmja skuadër pa humbje në grup, e vetmja që i ka shkaktuar Portugalisë një humbje dhe gjithashtu dhe mbrojtja më e mirë e këtyre eliminatoreve, me vetëm dy gola të pësuar.
Shqiptarët kanë mesataren më të lartë të pikëve, 2.5 për ndeshje, më të lartë madje se dhe ajo e portugezëve që aktualisht kanë një mesatare prej 2.4 pikë për takim. Për më tepër, nëse ndeshjet me Francën do të llogariteshin si të vërteta dhe jo miqësore, Shqipëria do të ishte aktualisht kryesuese e grupit me 14 pikë, duke lënë pas Portugalinë me 12, Francën me 11 dhe Danimarkën me 10, duke qenë e vetmja që gjithashtu i ka shkaktuar një humbje ekipit të Deshompit.
Ndaj, përtej kritikave të Olsenit, ndrojtjes së Portugalisë për fatin e grupit nga tani e mbrapa apo dhe etiketimeve të serbëve për provokime, CAS-i, me 3 pikët e tij, nuk futi në vallë për Evropianin një përfaqësuese të rëndomtë, por një Kombëtare që ka dëshmuar se deri në këto momente, ka qenë më e mira e grupit. Këtë e thonë shifrat dhe këto të fundit asnjëherë nuk gabojnë. Dhe duke u lidhur me shifrat, evidentohet se Shqipëria është më e mira e grupit dhe e meriton kualifikimin në Evropian. Ky është përfundimi që nxjerrin mediat e huaja për grupin I të Eliminatoreve dhe shanset e Shqipërisë për kualifikim.